Gega: Gabuam, por është thjesht një humbje. Mungesa e Trashit nuk ndikoi
Intervista e trajnerit të Partizanit, Skënder Gega dhënë për emisionin “Gol pas GOli”, në Supersport, në përfundim të ndeshjes së humbur me rezultatin 0-2 ndaj Skënderbeut.
Skënderbeu shumë i fortë apo Partizani nuk ishte në nivelin e duhur?
Duhet t’i jap vlerat Skënderbeut, që sot nuk na vodhi asgjë dhe tregoi se është një ekip kampion. Unë besoj se loja kishte pjesët e mira tonat dhe nuk mund të them se një ekip varet nga një rast, por kishim raste të pastra shënimi. Goli i parë ishte mungesë vëmendjeje nga ana jonë, por kështu është futbolli. Këto janë mangësi dhe është një ndeshje me një rival direkt. Jemi në vendin e dytë dhe kur kemi qenë në vendin e parë, e kam thënë që kampionati është i gjatë.
Muzaka erdhi nga stoli dhe ju shënoi?
Ishte një interpretim i mirë i tij dhe një mungesë vëmendjeje nga ana jonë. Ai e interpretoi shumë mirë gabimin tonë dhe në momentin që iu dha shansi, goditi dhe shënoi.
E nënvlerësuat Muzakën?
Edhe ai që fillon nga pjesa e dytë duhet të marrë të njëjtën vëmendje, ndaj duhet të ishim të vendosur shumë mirë. Ishte një top i gjatë dhe na gjeti në gjumë, ndërsa ai e interpretoi shumë mirë. Ne ishim përgatitur për Muzakën në fillim, por nuk gabuam shumë, nuk na hyri paniku. U munduam ta mbanim shumë lart Skënderbeun, u munduam me kundërsulme. I patëm mundësitë, por kështu funksionon futbolli. Është një plus për Skënderbeun të fusësh Muzakën në pjesë të dytë dhe ai e tregoi kualitetin e tij. Unë personalisht nuk e kisha detyrë të posaçme për Muzakën, ne ishim përgatitur për atë, por gjithsesi gjëra që ndodhin.
Zëvendësimet nuk sollën ndryshimin e pritur dhe për më tepër, u duk se prishën më shumë harmoninë në ekip…
Unë gjithmonë e kam thënë që për asnjë moment nuk e kam menduar që jemi 2 pikë larg Skënderbeut, por i kemi pasur kundërshtarë direkt. Është e vërtetë se ndërrimet, përveç Kotes, i cili hyri shumë mirë në lojë, të tjerët, Hebaj dhe Son nuk ia dolën, madje ky i fundit ishte ndërrim i detyruar. Ky është kontingjenti njëherë për njëherë, por kjo humbje nuk na i zbeh vlerat dhe kualitetin e ekipit. Do mundohemi të reflektojmë në ndeshjen me Kamzën dhe të kthehemi aty ku na takon. Unë marr përgjegjësitë e mia, por edhe lojtarët duhet ta kuptojnë se ku kanë gabuar. Nuk duhet të ulim kokën dhe të ndiejmë diçka më tepër se sa një humbje. Një pikë larg jemi dhe kemi mundësitë tona. Sot i patëm mundësitë dhe nuk arritëm të godisnim. Jo çdo ndeshje ka performancën dhe fatin brenda. Do bëjmë më të mirën dhe do të dalim nga kjo humbje.
A u bindët se u duhet një finalizues? Çfarë ka ndryshuar në mbrojtjen e Partizanit? A u penduat që e dënuat Trashin?
Nuk jam unë që e kam dënuar, as klubi, por veprimi i tij. Është dënuar për të marrë pjesë në një ndeshje. Në familje funksionohet me rregulla dhe kjo është ajo për sa i përket Trashit. Rregullat janë njësoj për të gjithë. Unë e kam shprehur në ambiente sportive, se nëse do të fitonim, do të ishte një fitore përfshirë edhe Trashin. Trashi nuk është gjithë ekipi, ai ka vlerat e veta. Në një familje ka rregulla dhe në një moment mund të kesh dobësi. Unë jam lideri i këtij ekipi dhe mbaj përgjegjësi. Nuk ishte mungesa e Trashit që na penalizoi.
Për pjesën e sulmuesit jam i kënaqur. Nuk jemi perfektë, megjithatë nuk kam thënë që nuk kemi nevojë për sulmues. Unë do i mbështesë këta lojtarë që kam dhe kur të vijë mundësia për një sulmues race, do të jap mendimet e mia.
Kam thënë se mbrojtjen nuk e bën Belica dhe Atanda, pasi ne mbrojmë në grup. Shfaqëm mungesë të vëmendjes te momenti i golit dhe u ndëshkuam, por nuk ulen vlerat e repartit. Kjo është mbrojtja. Nuk kam asnjë rëndesë për mbrojtjen se ka pësuar tre gola. Është Reali që hëngri edhe më tepër gola. Duhet të kemi pozitivitet dhe jo t’i rëndojmë mbrojtësit. Do e analizojmë dhe do mundohemi t’i korrigjojmë gabimet e bëra në këtë ndeshje.



