Gega: I lumtur vetëm me fitoren, pres më shumë nga Hebaj
Intervista e trajnerit të Partizanit, Skënder Gega, dhënë për emisionin “Gol pas Goli” në Supersport, pas fitores minimale 1-0 ndaj Kastriotit.
Pse skuadra nuk e mbylli më shpejt ndeshjen?
E filluam mirë pjesën e parë. Mund ta përfundonim që pjesën e parë, por kemi probleme në finalizim. U interpretua mirë pjesa e parë, por në të dytën, kur kishte më shumë hapësira, u tërhoqëm prapa, pasi kishte një lodhje. Një pjesë e dytë që nuk do të doja ta shikoja për herë të dytë.
Ku mendoni se e ka maksimumin Mala?
Jam jashtëzakonisht i kënaqur për mënyrën se si punon. Është njeri me vlera. Disa herë e futëm Malën dhe Trashin duke rrezikuar. Në pjesën e dytë pati lodhje, por e ndihmoi ekipin. Loja në sulm le për të dëshiruar. Nuk dua të rëndoj njeri. Sulmuesit duhet të punojnë shumë më tepër, që të na ndihmojnë në ato raste që vijnë.
Jeni i kënaqur për afrimet në merkato? Mendoni se dilet kampion edhe me këtë ekip?
Është gjë e mirë kur shikon 19-vjeçarë. Sot ishte Kodra nga ekipi të rinjve, ndonëse e futa në një situatë jo komode. Në stërvitje më ka dhënë të gjithë besimin, që ai mund të rritet. E kam përsëritur edhe dje, dëshira ime ka qenë një listë tjetër, shumë me kualitet, por për arsye të ndryshme, ata zgjodhën diçka që është në interesin e tyre. Çdo lojtar që ka ardhur, duhet të rritet, të gjithë kemi nevojë të mësojmë. Ishte një 3 pikësh që do na ndihmojë të jemi të qetë. Nuk mund të them javën e 3-të që është ekip për kampion. Pjesa e dytë nxori të metat në pah ndaj është shpejt për të thënë. Nuk jam i kënaqur për 90-minutëshin, përveç 3 pikëshit.
Hebajn e zëvendësuat, por mos ndoshta ndeshjet e tilla e ndihmojnë të çlirohet?
Kam 11 veta në fushë dhe 7 në pankinë. Objektivi është të arrijmë fitoren. Besoj që Hebajn e kam nxjerrë në momentin e duhur, kur i kishte mbaruar mundësitë, pasi kishte kohë të mjaftueshme. Nuk është kjo pritshmëria që kemi nga Hebaj. Besoj te ai dhe jam shumë i lumtur që ka ardhur, por i duhet kohë për t’u përshtatur. Do kisha dëshirë që sa më shpejt të ingranohej. Do të jetë pjesë kryesore e projektit tim, sa të jem unë trajner.
Asani dhe Hebaj nuk ndihmuan shumë ekipin dhe iu ra e gjithë barra mesfushorëve…
Është 100 % e vërtetë. Asani e ka këtë problem, pasi në momentin që humb topin, i takon të bëhet mesfushor i katërt. Unë kam besim që vlerat që i ka t’i shfrytëzojë për ekipin. Jam munduar ta korrigjoj sa më shpejt. Sot po të ishte më aktiv, shumë raste erdhën nga Mala. Jo gjithçka shfaqet siç është në stërvitje. Është e metë që duhet të punojmë.



