Gega: Komplimenta Shkëmbit, Partizani mori atë që meritoi
Skënder Gega, si gjithnjë realist në prononcimet e tij pas ndeshjeve. Trajneri i të kuqve, në “Gol pas Goli” pranoi problemet e Partizanit dhe u shpreh i kënaqur me rezultatin.
Ju kënaq barazimi me Teutën?
Po na kënaq, jemi 5 pikë para ndjekësve, pas një ndeshjeje të fortë. E komplimentoj Shkëmbin. Erdhëm për fitore, por ndeshja tregoi që kemi problem. E filluam keq, morëm atë që na takonte. Bëmë maksimumin.
Ju bind dyshja e qendrës, Belica-Atanda?
Secili ka pjesën e vet. Duhet të mësohemi që në korne të jemi të gjithë të ndërgjegjshëm. Rëndësi ka që shënuam e rikuperuam disavantazhin.
Keni një koment për ndërhyrjen e Hilës ndaj Osmanit?
Faull i pastër, pasi shkëputet topi, kaq. Çfarë doni nga unë që t’iu them. Për të tjerët pyesni arbitrat. Më vjen shumë keq që më pyesni mua për këto gjërash. Ky faull është faull. Nuk besoj se ka ndryshuar rrjedhën e lojës.
Vazhdoni të mendoni që Partizani është i vetëm në këtë luftë dhe duan ta ndalin të gjithë?
Po, vetëm për duelet sportive.
Çfarë nuk shkoi si duhet sot?
Nuk shkoi mirë në majën e sulmit. E filluam me Hebajn dhe Bardhin. Kishim vështirësi në kthimin mbrapa. Kjo e vështirësoi. Në pjesën e dytë e korrigjuam.
Çfarë ndryshuat në pjesën e dytë?
Besoj që mbas shënimit të golit deri në fund të pjesës së parë, filluam të vendoseshim më mirë. Morëm krahun me Trashin. Duhet të zbrisnin më poshtë dhe të ndihmonin. Është diçka që u shfaq sot dhe është e pranueshme. Ky ishte maksimumi, jam i kënaqur.



