Gega nuk pranon krahasimin me Leicesterin dhe tregon bisedën me Mensah pas ndeshjes
Skënder Gega i gëzohet suksesit të radhës, të Partizanit të tij, që tashmë kryeson me meritë kampionatin, teksa në intervistën për “Gol pas Goli” në Supersport shpjegon edhe diskutimin me Mensah në fund të ndeshjes.
Sa e rëndësishme ishte kjo fitore?
Ishte një moment që ne s’duhet të gabonim, pasi morëm vetëm 3 pikë ndaj Tiranës dhe nuk bëmë ndonjë gjë të jashtëzakonshme. Çunat u treguan të pjekur. Teutën e studiuam deri në detaje dhe jam i kënaqur me fitoren.
Çfarë i ke ndryshuar skuadrës?
Elementi kryesor i Partizanit është puna për qëllimin e përbashkët. Grupi është gjithçka dhe këta janë djem të jashtëzakonshëm. Ndeshjen me Teutën, e kishim vlerësuar, pasi është ekip që duhet t’i japim merita.
A mund të jetë Partizani si Leicesteri, që fitoi kampionatin në Angli? Çfarë diskutove me Mensah në fund të ndeshjes?
Partizani nuk është në Angli, por ka histori shumë më të madhe se Leicester City. Me Mensah dhe me çdo njeri tjetër, nuk i lë gjërat që të shkojnë në heshtje. Mensah donte të luante që në fillim, por para se të mbyllet çdo gjë, ia them në sy. Është një sportist shumë i mirë, por këtu klubi ka rregullat e veta. Të gjithë janë të barabartë. Kur u fut, i thashë jam i kënaqur me ty, sepse i dhashë mundësi shokut tjetër tënd.
Donit t’i jepnit shansit Hebajt, apo Mensah nuk i përballon kaq shumë minuta në pak ditë?
E thashë edhe dje, është luks kur ke kaq shumë konkurrentë, në nivele të larta. Është një presion pozitiv. Unë jam lider, dhe duhet të marr vendimet për të mirën e punës. Hebaj nuk duhet të kthehet në krizë, duhet të luajë si të tjerët. Pjesën e parë nuk është se nuk luajti, bëri presionin e vet. Në pjesën e dytë, u fut Mensah dhe bëri pjesën e vet, kur edhe tempi i Teutës kishte rënë.



