Gega: Skuadra ishte perfekte taktikisht, nuk e ndjemë lodhjen
Trajneri i Partizanit, Skënder Gega nuk e fshehu kënaqësinë për fitoren minimale 1-0 ndaj Laçit. Në intervistën e dhënë për emisionin “Gol ps Goli” në SuperSport, ai vlerësoi impenjimin dhe sjelljen taktike të skuadrës.
I qetë, edhe në momente kritike. Kështu e kërkoni edhe golin, me qetësi?
Është e vërtetë, e kërkuam edhe gjatë stërvitjes, edhe gjatë analizës, që të mos humbim kontrollin e të ruajmë qetësinë. Laçi është një ekip që mbrohet mirë dhe ndeshja e fundit me Korçën e tregoi këtë. Donim 3 pikët dhe kur nuk po shënonim, kisha pak ato dilemat e mia, të mos dilnim nga detyrat taktike, por ndeshja u menaxhua mjaft mirë nga skuadra dhe jam i kënaqur nga performanca e ekipit.
Kishte lodhje sot te Partizani?
E vërtetë, sot kishim lodhje, pasi kemi luajtur disa ndeshje radhazi, por sot për fatin tonë të mirë, funksionoi grupi taktikisht. Të dy pjesët u bënë shumë mirë. Shënuam vetëm një gol, por asnjëherë nuk kam qenë kaq i qetë nga ekipi. Ata po vendoseshin mirë dhe po luanin mirë. Jam i kënaqur që e kaluam këtë sfidë të vështirë.
Kote, e shpërblen besimin tuaj?
Patjetër! Ai është një 20-vjeçar dhe arsyeja që ka hyrë aty, është besimi ynë i plotë. Në 90 minuta do ketë edhe probleme, pasi është i ri, nuk është lider sot për sot. Futja e tij është besim nga ne dhe ndërrimi është për t’i dhënë hapësirë dikujt tjetër. Do jetë vazhdimisht një nga lojtarët që ne shpresojmë. Të gjithë kanë pjesën e vet, është një kampionat shumë i gjatë.
Fitore e merituar, por a mjafton ky cinizëm, për t’i fituar 1-0 ndeshjet?
Me Kamzën patëm 5-6 raste, nuk u përmend cinizmi. Jo çdo ndeshje ka fytyrën e vet. Ishim përgatitur që Laçi do mbrohej. Për 90 minuta, me pak qetësi mund t’i ndëshkonim më tepër. Kështu funksionon, jo çdo top shkon aty ku dëshirojmë. Në kohën më të mirë, jemi përsëri në vendin e parë. Kemi ende gjëra për të korrigjuar ndaj nuk është se i shmangem kësaj gjëje. Duhet të shënojmë, duhet të punojmë dhe gjithsecili të rritet. Nuk korrigjohen për 2 javë këto, por do mundohemi.



