Gega: Të bëjmë historinë tonë, Teuta luan futboll të bukur
Trajneri i Partizanit, Skënder Gega, e ka lënë pas suksesin në derbi pasi po troket ndeshja e radhës me Teutën, po në “Selman Stërmasi”. Pritshmëritë në kampin e kuq janë rritur shumë pas triumfit me Tiranën, por Gega synon ta largojë sa më shumë presionin
Ndaj Teutës do të jetë i njëjti Partizan si në derbi?
Është një ndeshje tjetër. Edhe pse, fitorja në derbi po 3 pikë na ka dhënë. Për fat të mirë, e kaluam me sukses, tani kemi një ndeshje të radhës, që duhet ta marrim po kaq seriozisht. Do mundohemi me të gjitha forcat, të japim të njëjtën performancë. Besoj se jemi në rrugën e duhur.
I druheni euforisë në këtë moment shumë pozitiv?
Ne nuk kemi bërë ndonjë gjë të jashtëzakonshme, thjesht detyrën. Pastaj, sa pikë marrim, është diçka tjetër. Jam i kënaqur që ekipi po rritet. Nuk kemi hapësira për eufori. Është vetëm ndeshja e gjashtë.
Cili është sekreti i mbrojtjes, Partizani ka pësuar vetëm një gol?
Është një punë në grup, kolektive. Jemi me fat që kemi portierin më të mirë në Superiore. Është profesionist brenda e jashtë fushe. Bashkë edhe me ndihmën e ekipit. Jemi munduar edhe të sulmojnë, nuk kemi ndenjur vetëm në mbrojtje. Nuk jap garanci se nuk do pësojmë më gol, por mënyra se si luajmë, do jemi po aq të kujdesshëm.
Teuta është ekipi i vetëm që ka mundur Skënderbeun…
Skënderbeu shkarkoi gjithçka që kishte kundër nesh. Ata dhanë maksimumin, krejt normale. Fati ishte me ta. E pashë takimin e Teutës ndaj Skënderbeut. Bëri një ndeshje shumë të mirë. Kanë një ekip të mirë, grup që luan mirë futboll. Do të jemi gati të përgjigjemi në fushë.
Historia ka treguar që Partizani kur fiton një derbi, çalon në ndeshjen pasardhëse…
Shpresoj ta prishim syrin e keq, të mos vazhdojmë me këtë traditë. Kjo gjë duhet të korrigjohet. Kemi folur edhe me lojtarët për këtë gjë. Lojtarët e kanë shprehur këtë shqetësim. Është e pashmangshme, edhe presioni pozitiv. Kam jetuar disa orë me fitoren në derbi. Megjithatë, e njoh punën time, na pret një sfidë e vështirë.
Si po punoni për të finalizuar më shumë?
Edhe fitorja minimale quhet fitore. Njerëzit më pas, kanë dëshira për shumë gola, kjo është normale. Për çdo trajner do ishte mirë të finalizohej sa më shumë. Jam i kënaqur, pasi loja në grup, në sulm, është mbështetur nga lojtarë që nuk janë tipik sulmues. Kjo më bën optimist, pasi të gjithë mundohen të bëjnë të dyja fazat e lojës. 3 pikët na japin qetësi, dhe na mban në grupin e pretendentëve.
Çfarë i duhet Partizanit psikologjikisht për të fituar titullin?
E kam thënë, 99% e lojtarëve nuk kanë lidhje me “thatësirën” 25-vjeçare Partizanit pa fituar titull. Duhet të krijojmë historinë tonë, pa u shkëputur nga e kaluara. Nuk jemi ndeshur ende me të gjitha ekipet. Të shpresojmë të vazhdojmë kështu. Nuk është garanci që çdo ndeshje do ketë të njëjtën fytyrë.
Ju shqetëson fakti që nuk keni një lojtar goli?
Telushi, Asani, Mala, e bëjnë shumë mirë pjesën ofensive. Nuk mund të piketoj një lojtar goli sot. Te grupi im, dua që të gjithë të jenë afër portës e të shënojnë. Në përgjithësi, nuk e shohim te ekipet në Shqipëri.
Ish-kapiteni i Partizanit, Ocelli, tregon disa arsye pse Partizani nuk është gati për titull…
Ish-futbollistët kanë status të veçantë. Nuk e kam lexuar intervistën e tij, por secili ka prizmin e vet nga i sheh situatat. Ekipet nuk kanë shumë disnivele. Kampionati ka shumë pretendentë, ne jemi një nga ato. Do ia lëmë kohës.
Do të ketë rotacion për shkak të ngjeshjes e kalendarit?
Asgjë nuk kemi vendosur. Do të shpërngulemi sot në Elbasan, larg zhurmës, fusha është e mirë. 15-16 lojtarë janë pretendentë për të qenë titullar. Është presion, por edhe kënaqësi ku kemi kaq shumë lojtarë për formacionin.
Mund të shkojë ndonjë nga lojtarët tuaj në Kombëtare, për ndeshjet e tetorit?
Unë kam qenë vetë trajner i Shpresave. Është kompetencë e Panuccit. Kombëtarja është e të gjithëve. Partizani ka emra të denjë për të qenë në Kombëtare. Unë uroj që ai që punon, të marrë meritat. Të gjithë e kanë ëndërr Kombëtaren. Megjithatë, është zgjidhje e Panuccit.
Si ia dolët që Telushi të marrë kaq pak kartonë te Partizani në mesfushë?
Është e vërtetë, unë e njoh prej kohësh Telushi. Kjo natyrë e tij i jep vlerë në fushë, por edhe duhet të menaxhosh. Sot ai është edhe prind, e sheh futbollin si profesion. Ekipi e njeh si lider, ka mbështetjen tonë. E ka kuptuar se duke marrë kartonë, dëmton ekipin.
Partizani më i “pjekur” këtë sezon. Nuk merret shumë me arbitrat..
Unë duhet të sillem mirë me ekipin, me publikun, me mediat. Jeta është e mbushur me urrejtje, dhe futbolli duhet të jetë “fair-play”. Ekipi është i pjekur. Kemi bashkëpunim të mirë, flasim hapur për të mirën e klubit.



