Kategoria Superiore

Gega: Terreni ishte skandaloz, jam i kënaqur që nuk humbëm

Intervista e trajnerit të partizanit Skënder Gega, dhënë për emisionin “gol pas Goli” në Supersport, pas sfidës që “të kuqtë” barazuan 1-1 në transfertë ndaj Kastriotit.

Një barazim përballë një skuadre që ka bërë shumë mirë në vitin 2019. Jeni i kënaqur me një pikë?
Po! Në fund jam i kënaqur me një pikë, pasi çdo gjë kaloi tashmë. Kemi luajtur në një fushë skandaloze, që na pengoi të luajmë. Ishte një klimë e pranueshme dhe jam i lumtur që dolëm pa humbje.

A mendoni se me kalimin e javëve, rritet tensioni për titullin?
Sot ishin të gjithë elementët për t’u rritur tensioni, që nga fusha, vendimet e arbitrit, por edhe fakti që kishim disa mungesa, që do të jenë edhe më të shumta në takimet e ardhshme. Megjithatë ne jemi të qenë dhe do të punojmë me kokën e ulur deri në fund.

Keni filluar të mendoni për festën?
Të jem i sinqertë, si unë, ashtu edhe presidenti e Drejtori Sportiv, nuk kemi menduar për festën në asnjë moment, por vetëm të marrim ndeshjet me radhë. Objektivi ynë është që të mendojmë për ndeshjen me Laçin dhe ta nxjerrim sa më mirë. Pastaj, kur të kemi fituar titullin, do të mendojmë edhe për festën.

Sa e vështirë ishte të luanit sot përballë Kastriotit?
Fusha është ajo që të pengon të ushtrosh lojën dhe skemat që ke përgatitur gjatë javës dhe vitit në stërvitje me skuadrën. Ne punojmë në një kompleks mjaft cilësor dhe nuk jemi mësuar të përballojmë gropat në zonën e fushës. Kemi vuajtur disi edhe për faktin se kemi adoptuar lojtarët, për shkak të dëmtimeve. Edhe ndaj Laçit do të kemi mungesa, por do të adaptojmë ata që na japin më shumë garanci për të luajtur.

A mendoni se i keni dhënë një asist Tiranës sot, duke ndalur Kastriotin?
Ne erdhëm këtu të bëjmë më të mirën dhe të marrim 3 pikët, jo për t’u bërë ndere të tjerëve. Kampionati është i tillë, që shpesh herë interesat mes skuadrave përputhen, por kjo nuk do të thotë që ne luajmë për t’i dhënë asist Tiranës, apo anasjelltas. Thjesht ne luajmë për veten tonë dhe më pas le të përfitojë kush mundet nga ato rezultate.

E kritikuat Rexhepin për kartonët?
Kam folur në fakt, por kam rezerva edhe për vendimet e arbitrave, pasi të paktën kartoni i dytë edhe mund të evitohej.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency