Futboll

Gega në “Zona Gol”, zbulon arsyet që e kthyen te Partizani dhe planet me klubin e kuq

Në emisionin “Zona Gol”, në SuperSport, mbrëmjen e sotme ishte i ftuar trajneri i Partizanit, Skënder Gega, i cili këtë verë la Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të drejtuar klubin e kuq.

Ditën e premte, Partizani mposhti me përmbysje 2-1 Tiranën në derbi, një sfidë që nga shumë u cilësua si fitorja e Gegës, me zëvendësimet e bëra, ndërsa tekniku vijon të udhëheqë klubin e kuq në krye të tabelës së renditjes.

Pse i thatë “Po!” Partizanit?
Unë kam jetuar larg Shqipërisë, por kam qenë gjithmonë aktiv duke u angazhuar me akademitë sportive atje. U poqën edhe kushtet, pasi tashmë të dy fëmijët e mi janë të martuar dhe unë pata mundësi të rikthehem dhe të kontribuoj te klubi ku jam rritur dhe që kam për zemër.

A ka presion trofesh te Partizani?
Në rrethin e ngushtë të familjes së Partizanit, nuk është se kemi folur për arritje konkrete gjatë këtij sezoni, apo edhe gjatë sezoneve të ardhshme. Kemi pasur plan që të ndërthurim lojtarët me eksperiencë, me disa të rinj të perspektivës, me qëllim që të garantojmë edhe të ardhmen. Tani na ka ecur mirë edhe me rezultatet dhe normalisht që kemi filluar të mendojmë edhe për më tepër.

Keni shënuar vetëm një gol ndaj Tiranës…
Po është e vërtetë dhe ka qenë në vitin 1987. Ka qenë goli im i vetëm ndaj bardhebluve, ndonëse atë derbi e kemi humbur me rezultatin 2-1 nëse nuk gaboj.

Te Partizani ka shumë lojtarë të rinj në moshë. Ka qenë kjo një kërkesë e juaja, apo politikë e klubit?
Të jem i sinqertë, unë komunikoj me 2-3 vetë, që i kam shumë pranë në punën time dhe bashkë bisedojmë tërë kohës për të bërë më të mirën për klubin. Teknikisht kam pasur të gjithë hapësirën për të bërë përzgjedhjen, veçanërisht pasi filloi kampionati, pasi më herët një pjesë e lojtarëve i kishin nënshkruar kontratat. Ne menduam të afrojmë disa lojtarë të rinj, pasi donim t’i jepnim një tjetër ritëm skuadrës. Deri tani ka funksionuar mirë, ndonëse lojtarët e rinj nuk janë stabël në atë që japin në fushë. Përveç disa liderëve që i kemi tashmë në ekip, po formohet edhe një brez i mirë, i edukuar dhe me dëshirë për të punuar në këtë sport.

Partizanit i ka munguar disiplina vitet e fundit. Si arritët ta rikthenit në shina?
Unë kam ecur me një projekt timin, të cilin e kisha studiuar mirë dhe e kisha eksperimentuar në ato raste që kam pasur mundësi. Disa prej lojtarëve që po shkëlqejnë këtë sezon, unë i kam gjetur aty, por unë mendoj se është shumë e rëndësishme që lojtarët e trajneri të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe të përshtaten sa më shpejt me njëri-tjetrin. Asani është përmirësuar ndjeshëm, pasi luan me më shumë sakrificë, përgjegjësi dhe disiplinë. Te Bardhi pashë shumë cilësi, por një mungesë besimi te vetja dhe duke i dhënë pak hapësirë, kam kuptuar se po përmirësohet dhe po nxjerr më të mirën nga vetja. Gjithsesi titulli nuk fitohet me 3 lojtarë, por ne kemi një projekt shumë të madh, ku janë të angazhuar shumë njerëz.

Çfarë ju tha presidenti Demi pas fitores?
Presidenti nuk ka thënë asgjë. Kam komunikuar pak para ndeshjes, pyeti a është gjithçka në rregull. Një javë para Vlorës, lexova diku që drejtori Rama ka bërë një mbledhje. Ai është një njeri anti-mbledhje. Për fat të mirë, nuk kemi pasur mbledhje. Përveç një darke, që presidenti donte t’i shihte lojtarët nga afër, dhe me sponsorët. E njoh pozicionin tim, kur më kërkon për kafe, shkon 5-6 minuta. Nuk është natyrë që njeh teknikisht. Ai beson shumë, dhe nëse beson një njeri të gabuar, dëmet janë të mëdha, sepse nuk kursehet.

Kur jeni ndjerë më në siklet këtë sezon?
Në Fushë-Krujë, jam ndjerë në siklet, ndaj Kastriotit, pa humor. Loro Boriçi i madh thoshte: “Të hymë si punëtorë dhe të dalim si profesorë”. Futbolli nuk të fal. Shkuam 0-2 për 20 minuta, loja u zbeh dhe nuk po kryenim detyrat. Mund të kalonim në një dramë futbollistike, pasi mund të linim pikë ndaj Kastriotit. Pastaj, ndaj ekipeve të tjera, Tiranës, Skënderbeut, futbollistët e dinë si të karikohen, shumë pak mbetet për ne, vetëm si t’i korrigjojmë në fushë. Në momente kemi fituar ndoshta me fat, ndoshta kemi humbur edhe disa pikë rrugës.

Derbin e fituat ju apo e humbi Mema?
Mema erdhi në momentin më të vështirë te Tirana. Ka marrë një risk, por me dashuri. Kur e do atë fanellë, je gati.

Pse e aktivizuat Hoxhën, kur vetë deklaruat më herët se nuk do të luante në derbi?
Albani është djalë i mirë, familjar. E mora vesh në 7 të mëngjesit nga menaxheri i ekipit. U mërzita që ishte kapur me alkool. Më pas ishte çështja si do e trajtonim. Shteti është i fortë dhe lamë institucionet ta zgjidhnin. Isha i shqetësuar pasi kishte kohë që bënte terapi dhe në konferencë thashë se nuk do luante, sepse nuk isha i bindur që do ishte gati.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency