Getafe, e abonuar me barazimet, i merr pikë Bilbaos në “San Mames”
Athletic Bilbao barazoi në shtëpi 1-1 me Getafen në përballjen e javës së 29-të të La Ligës. Edhe pse Getafe arriti që të shënonte që në minutën e tretë me anë të turkut Unal, pa u mbushur gjysmë ore lojë baskët gjetën ekuilibrin me Yuri, i cili u shërbye saktë nga Williams.
Pjesa e dytë nisi me një gol të anuluar për Getafen, që gjeti rrugën e rrjetës me anë të Oliveras, por sistemi VAR sinjalizoi një pozicion të parregullt. Tetë minuta më vonë skuadra e trajnerit Flores Quique mbeti me 10 lojtarë në fushën e lojës, pas daljes me kartonin e kuq Cuencas. Edhe pse vendasit e shtuan presionin, e patën të vështirë që të gjenin rrugën e rrjetës.
Në fund, nga një pikë për të dyja ekipet. Athletic Bilbao ruan vendin e tetë në renditje, duke shkuar në kuotën e 41 pikëve, ndërsa në anën tjetër Getafe mbetet në vendin e 15-të me vetëm 29 pikë, duke ruajtur distancën e sigurisë nga zona e rënies, së paku për momentin.



