La Liga

Getafe mposht Celtën dhe mban gjallë ëndrrën Champions

Getafe vijon të ëndërrojë për pjesëmarrjen në Champions League, kjo falë fitores 3-1 ndaj Celta Vigos, që konfirmon momentin e keq duke komplikuar mbijetesën në La Liga. Madrilenët e vegjël, të cilët janë mësuar të shohin në arenën e madhe të Europës vetëm Realin dhe Atletikon, treguan edhe një herë se janë të denjë për pozicionin që mbajnë në klasifikim, pasi suksesi i tyre erdhi me përmbysje rezultati.

Celta që vinte pas fitores 1-0 ndaj Sevillas, e nisi mirë duelin duke kaluar në avantazh që në minutën e dytë me anë të meksikanit Araujo, teksa u krijua ideja e një suksesi tjetër. Megjithatë të besuarit e Jose Bordalas treguan forcë karakteri duke përmbysur gjithçka, kjo dhe falë episodeve. Në minutën e 37′ Hugo Mallo shkakton një penallti, pak sekonda më vonë Maxi Gomez ndëshkohet me dy të verdha për protesta, ndërkohë që Jaime Mata tregohet i saktë 11 metra larg portierit Ruben Blanco.

Getafe hidhet në sulm dhe kërkon përmbysjen që në fraksionin e parë, por në sekondat e fundit pëson një gol nga Hugo Mallo që anulohet për pozicion jashtë loje. Në pjesën e dytë madrilenët shtojnë dozën e agresivitetit duke dhuruar një aksion model për golin e avantazhit në minutën e 62-të. Jorge Molina finalizon një aksion me pasime të shumta duke shfrytëzuar asistin e Jaime Matës.

Pikërisht numri 7 mbyll llogaritë në minutën e 81-të pas një dhurate të bërë nga portieri Ruben Blanco, që në tentativë për të dërguar topin tek Welsey Hoedt i jep mundësinë Matës të realizojë golin e tretë për Getafen, të dytin personal në këtë sfidë dhe të 8 në kampionat. Tashmë Getafe ushtron presion ndaj Sevillas për vendin e 4, ndërsa Celta Vigo duhet të bëjë llogaritë me mbijetesën, ku gara është e ashpër.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency