Giresse: Dy shkaqet pse këto miqësore kanë rëndësi, Zvicra barometër për Kosovën
Alain Giresse ka mbajtur sot konferencën e parë për shtypin si trajneri i ri i Kosovës para dy ndeshjeve miqësore të këtij muaji kundër Burkina Fasos, më 24 mars në stadiumin “Fadil Vokrri”, dhe kundër Zvicrës, më 29 mars në Zyrih. 69-vjeçari ka thënë se ky grumbullim do t’i shërbejë për t’u njoftuar me lojtarët dhe më pas do ta ketë më të lehtë të flasë edhe për objektivat e ekipit.
“Para së gjithash ky grumbullim ka rëndësi për mua, sepse do të kem mundësinë të njihem nga afër më lojtarët dhe pastaj do të njoftohemi së bashku edhe me mënyrën e organizimit, punës dhe si do të funksionojmë në këto dy miqësore. Është shumë normale për një trajner të ri që të njohë kapacitetet e lojtarëve, por jo për të ndërruar komplet strukturën.
Duhet të vazhdojmë me dinamikën e ekipit aty ku ka mbetur. Secili lojtar duhet ta tregojë veten në lidhje me objektivat që i kemi para vetes. Është hera ime e parë që do të jem në krye të ekipit. Këto dy ndeshje do të na ndihmojnë t’i shohim lojtarët dhe të përgatitemi sa më mirë për ndeshjet e qershorit. Në Ligën e Kombeve do të futemi me ambicie maksimale dhe këto dy miqësore do të na shërbejnë shumë në atë drejtim”, theksoi Giresse.
Tekniku francez u shpreh se i ka shikuar ndeshjet e Kosovës dhe konsideron se dardanët kanë lojtarë të kualitetit të lartë, por që duhet të vendoset rregull dhe harmoni brenda ekipit, në mënyrë që të arrihen edhe rezultatet pozitive, teksa komentoi edhe kundërshtarët helvetë.

“Zvicra vitet e fundit është në top-formë. Është një ndeshje shumë interesante dhe e mirë për të parë se ku jemi. Në të njëjtën kohë është një matës i mirë për të parë veten se ku jemi në krahasim me ekipet më të mëdha se ne“. Në fund një koment për Leart Paqaradën dhe Bernard Berishën.
“Derën nuk ua mbyll askujt, por gjithmonë varet nga situata. Këto janë çështje që duhet të rregullohen. Ne do të mundohemi t’i rregullojmë të gjitha ato probleme që mund të kenë ekzistuar. Më duhet të njihem më shumë me lojtarët dhe sigurisht se dera do të jetë e hapur për të gjithë”, shtoi Giresse.
Ai ka bërë të ditur se për shkak të lëndimit në këtë grumbullim do të mungojë Emir Sahiti, i cili ishte ftuar për here të parë. Francezi do të drejtojë sot seancën e parë stërvitore si trajner i Kosovës, që do të mbahet në orën 18:30 në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Sa e njihni La Ligën?
Testoni njohuritë tuaja mbi kampionatin spanjoll...



