Giresse shmang komentet për listën: Me kaq mungesa nuk bënim dot më shumë
Alan Giresse, trajner i Kosovës, “pranon” në njëfarë mënyre humbjen me Greqinë, duke deklaruar se këto janë mundësitë e “dardanëve”.
“Kjo ndeshje e komplikon punën. Ishte shumë e vështirë përballë Greqisë. Nuk e patëm në kontroll topin, kishim shumë vështirësi, sidomos gjatë pjesës së parë. Tentuam pak në pjesën e dytë, por nuk ia dolëm.
Duhet të punojmë shumë për t’u përmirësuar, për të rritur potencialin e lojtarëve. Sot u ndie mungesa lojtarëve. Kemi nevojë për kontributin e gjithsecilit për të përballuar një ekip si Greqia.
Kemi tentuar të ndryshojmë lojën gjatë pjesës së dytë, kemi tentuar të ndryshojmë formacionin, por gjendja e tillë është, duhet të shohim përpara.”



