Giroud pëson tërheqje muskulore, përcaktohet koha e rikuperimit
Dëmtimet e shpeshta mbeten një nga problematikat më të mëdha te Milani, që në dy sezonet e fundit rrallë herë ia ka dalë të ketë në dispozicion të gjithë grupin e lojtarëve dhe së fundi një tjetër futbollist është ndalur.
Bëhet fjalë për sulmuesin Olivier Giroud, që u dëmtua në transfertën spanjolle ndaj Atleticos së Madridit dhe sot iu nënshtrua ekzaminimeve të specializuara, për të kuptuar edhe kohën e rikuperimit.
Në një njoftim të klubit kuqezi, thuhet se sulmuesi francez ka një tërheqje muskulore dhe pas 10 ditësh, do të rivlerësohet, për të përcaktuar me saktësi kohën e rikuperimit, që gjithsesi do të jetë më e gjatë se dy javë.
Kështu është e sigurt që Giroud do të mungojë në ndeshjet e kampionatit ndaj Sassuolos, Genoas e Salernitanës dhe atë ndaj Liverpoolit në Champions, teksa Pioli shpreson ta rikuperojë për përballjen ndaj Napolit më 19 dhjetor.



