Gjermania promotore, një femër arbitron në Bundesligë (Foto)
Quhet Bibiana Steinhaus dhe është gjyqtarja e parë femër që gjykon në Bundesligën gjermane. 38 vjeçarja debutoi më datë 10 shtator të këtij viti, në takimin midis Herthës së Berlinit dhe Werder Bremenit, ndeshje e cila përfundoi në barazim 1-1.
Mbrëmjen e sotme, Steinhaus po gjykon ndeshjen e dytë të saj në Bundesligë, atë mes Shalke 04 dhe Mainz. Eksperimenti i parë i Steinhaus në Bundesligë, rezultoi më se i suksesshëm, pasi futbollistët pranonin me qetësi vendimet e saj, pa pasur nevojë për kontestime të ashpra.
Steinhaus është një gjyqtare me një karrierë të gjatë, pasi fillesat i ka që në vitin 1999, thuajse 18 vite më përpara. Nga viti 2007 deri në 2017-ën, ajo ka gjykuar vazhdimisht në Bundesligën 2, ndërsa këtë verë Federata gjermane vendosi të promovojë arbitren, duke i dhënë hapësirë në ligën kryesore të vendit.
Krahas arbitrimit, Bibiana është një oficere e trajnuar policie, ndërsa në tetor të vitit të kaluar u përfol edhe për një histori rozë mes saj dhe gjyqtarit anglez, Howard Webb.











