Gjermania ruan traditën, nuk luhet për festa, por këtë herë pushimet zgjasin pak
Në gjuhën ndërkombëtare quhet “Boxing Day” por në Gjermani janë të pamësuar me një term të tillë, një traditë që Bundesliga e ndjek me fanatizëm. Nëse pjesa më e madhe e kampionateve prestigjozë të Europës zbresin në fushë një ditë pas Krishtlindjes, nuk ndodh kështu në Gjermani ku klubet dhe federata mbeten fanatikë të respektimit të festës. Java e 17 e mbylli siparin këtë fundjavë dhe skuadrat do të rikthehen në fushë duke nisur nga java e dytë e janarit, pra rreth një muaj pushim. Të mërkurën do të luhen edhe 4 përballje të Kupës dhe më pas të gjithë në shtëpi deri në 12 janar. Klubet përfitojnë nga ky pushim për të rikuperuar sa më shpejt lojtarët e dëmtuar. Gjithsesi, këtë vit, periudha e pushimeve zgjat më pak se sezonet e kaluara dhe për këtë shkak është bërë Kupa e Botës. Zakonisht, faza e pushimeve të dimrit në Gjermani zgjat 4 javë, një nga më të gjatat në kampionatet elitarë të kontinentit dhe shpesh herë ky është cilësuar edhe një avantazh i madh dhe ndihmë që i bëhet kombëtares.
Lojtarët rikthehen me më shumë energji, ndërsa në Kupat e Europës kjo reflektohet pozitivisht pasi nëse kundërshtarët në muajin mars prezantohen të sfilitur, klubet gjermane kanë luksin të vrapojnë më shumë për shkak të energjive të kursyera në rreth një muaj. Rreth një dekadë më parë, federata mori vendimin e rëndësishëm për ta shkurtuar me një muaj fazën e pushimeve pasi në të shkuarën pushimet zgjateshin deri në 6 javë. Në këtë mënyrë, risia e këtij sezoni i ka lënë të shtangur shumë trajnerë, madje disa prej tyre janë ankuar publikisht se shkurtimi i mëtejshëm i fazës së pushimeve nuk i ndihmon për të rikuperuar lojtarët dhe energjitë. “Bundesliga starton disi më herët këtë sezon, prandaj nuk mund ta konsiderojmë këtë një periudhë përgatitore për ne”, u shpreh trajneri i Bayern Munchen, Jup Heynckes që shtoi gjithashtu se kjo do të jetë një sfidë për të gjithë trajnerët në Gjermani. Por çfarë bëjnë lojtarët gjatë periudhës së pushimeve dimërore. Pjesa më e madhe e tyre marrin arratinë drejt një destinacioni me diell për të evituar dimrin e ashpër gjerman, ndërsa Bayerni i Mynihut ka nisur traditën e një minifaze përgatitore në Doha. Destinacioni më i preferuar i lojtarëve apo klubeve është bërë Spanja pasi pjesa dërrmuese e kanë braktisur traditën e udhëtimeve drejt Turqisë por këtë vit ndoshta bëjnë mirë që valixhet t’i përgatisin sa më shpejt pasi koha nuk premton, si rrallëherë. Bundesliga rikthehet në fushë në datën 12 janar.



