Gjest i pahijshëm i Erjon Braçes në Partizani-Skënderbeu
Erjon Braçe njihet si një mbështetës i flaktë i Partizanit, por këtë herë në fund të ndeshjes me Skënderbeun, ku të kuqtë humbën në sekondat e fundit vërtet e ka ekzagjeruar. Media të ndryshme raportuan se deputeti i Partisë Socialiste ka goditur me një çakmak drejt trupës së gjyqtarëve të takimit teksa dilnin nga fusha, akt që e konfirmon edhe një deklaratë zyrtare e Shoqatës së Arbitrave shqiptarë në të cilën reagon për atë që e konsideron një veprim anti sportiv dhe aspak fair nga ana e Deputetit të Kuvendit të Shqipërisë. Në komunikatë shkruhet se Braçe në përfundim të takimit Partizani-Skënderbeu ka goditur që nga tribuna me një objekt arbitrin kryesor të takimit Andi Koçi, në momentin e hyrjes për në dhomat e zhveshjes. Shoqata e arbitrave dënon një veprim të tillë nga ana e përfaqësuesit të ligjit në drejtim të arbitrave dhe njëherëzi bën apel për më shumë gjakftohtësi dhe vetëkontroll. Ajo evidenton se një ngjarje e tillë është e shëmtuar dhe aq më tepër kur një veprim i tillë vjen nga tribuna VIP, pasi të tilla situata nuk i përkasin aspak futbollit, dhe për më tepër janë edhe më të rënda në simbolikën e tyre antisportive kur ideohen dhe kryhen nga një deputet.



