Gjilani ngec në Podujevë, Solomon i dhuron fitoren dhe kreun e renditjes Ballkanit
Ballkani nuk gaboi sot në transfertë kundër Feronikelit, fitoi 0-1 dhe është ngjitur në krye të kampionatit të Kosovës. Ish sulmuesi i Partizanit, Theophilus Solomon realizoi golin e fitores në minutën e 25-të.
Ekipi nga Suhareka menaxhoi mirë avantazhin dhe ia doli të rikthehet në shtëpi me tre pikë fantastike. Suksesi në Drenas ka rikthyer Ballkanin në krye të kampionatit dardan me 30 pikë, një më shumë se Gjilani i vendit të dytë.

“Skifterat” u ndalën në një barazim për gola në takimin e luajtur në Podujevë ndaj Llapit vendas të vendit të tretë, që është një nga ekipet më në formë të elitës së futbollit të Kosovës.
Malisheva shënoi nga një gol për pjesë në takimin shtëpiak ndaj Drenicës. Golat e Muhamet Hysenit (penallti) në limitet e fraksionit të parë të ndeshjes dhe rrjeta e Ilir Mustafës pak para fundit, rikthyen Malishevën te fitorja në kampionat pas disfatës me “poker” me Ballkanin.
Vendasit i janë larguar zonës së ftohtë dhe janë ngjitur në vendin e shtatë me 18 pikë, dy më pak se kuqezinjtë e Drenicës.




