Gjobë për Brozovic dhe darkë për bashkimin e grupit, Interi pret reagimin ndaj Torinos
Interi do të zbresë në fushë mbrëmjen e sotme për t’u përballur me Torinon në një sfidë ku zikaltrit do të synojnë rikthimin te fitorja, që mungon që prej datës 1 korrik, kur mposhtën Brescian me rezultatin e thellë 6-0.
Atmosfera në klubin milanez nuk është aspak e qetë, pasi dy ndeshje radhazi pa fitore kanë “turbulluar ujërat” dhe kritikat tani janë drejtuar edhe nga tekniku Conte, ndërsa së fundi edhe mesfushori Marcelo Brozovic është kapur i dehur dhe i është pezulluar patenta.
Pikërisht për të provuar të rikthejnë qetësinë dhe bashkojnë skuadrën, drejtuesit e klubit kanë vendosur të mbajnë skuadrën në “Appiano Gentile’ mbrëmjen e djeshme dhe për të darkuar së bashku, ndërsa mesfushorit kroat Brozovic i është komunikuar edhe një gjobë prej 100 mijë eurosh.
Mbrëmjen e sotme Conte pret një reagim mjaft pozitiv nga të tijtë, për të marrë tre pikët që do ta ngjisnin Interin në vendin e dytë të renditjes me pikë të barabarta me Lazion dhe do objektivi Champions do të ishte thuajse i sigurt edhe matematikisht.
Sa i përket formacionit, sonte tekniku zikaltër pritet të rikthejë në fushë nga minuta e parë mbrojtësin Bastoni, i cili mungoi për pezullim ndaj Veronës dhe bashkë me Skriniar e De Vrij do të formojë treshen e prapavijës.
Në krahët e mesfushës pritet konfirmimi i dyshes Candreva-Young, ndërsa në qendër do të luajnë Brozovic e Gagliardini, duke qenë se Barella, Vecino e Sensi nuk do të jenë në dispozicion të trajnerit.
Në sulm nuk do të rrezikohet aspak me Lukakun, pasi nga minuta e parë do të luajnë dy amerikano-latinët Sanchez-Lautaro, të cilët do të kenë pas shpine danezin Christian Eriksen, një tjetër emër nga i cili zikaltrit presin shumë në fushë.



