Gjoka e Musolli reflektojnë besim: Të bëjmë diçka speciale
Në konferencën për shtyp, para ndeshjes me Debrecenin, dolën trajneri Ernest Gjoka dhe mesfushori Besar Musolli. Tekniku 49-vjeçar tregoi se ka informacionet e duhura për kundërshtarin, madje edhe pikate dobëta.
“Ardhja jonë këtu është një kënaqësi, e njohim kush është kjo skuadër dhe është kënaqësi për ne që luajmë përballë një kundërshtari të tillë. Ne e njohim tashmë ekipin e Debrecenit, e kemi studiuar me video-analizë. Mendoj se e njohim deri diku shumë mirë këtë skuadër. Mungesë lojtarësh? Jo, thjesht jemi në një moment merkatoje dhe skuadra ka nevojë për disa përforcime, por për momentin jemi gati për ta përballuar një kundërshtar të tillë. Tifozët në Shqipëri? Varet nga rezultati që do të marrim këtu. Shpresoj që të jenë sa më të shumtë”.

Pret rezultat pozitiv kapiteni Musolli, që, gjithsesi, e ka të qartë se çështja e kualifikimit do të zgjidhet në ndeshjen e kthimit, në Shqipëri.
“Duhet që me patjetër të bëjmë një ndeshje të mirë nesër, pastaj rezultatin final do ta shikojmë pas ndeshjes në Shqipëri. E rëndësishme për ne është të bëjmë diçka speciale dhe të bëjmë paraqitje të mirë.”



