Gjoka: Keqardhje që na mposhti një episod, mbijetesa do dinjitet
Intervista e trajnerit të Kamzës Erners Gjoka, dhënë për emisionin “Gol pas goli” në Supersport, pas ndeshjes që skuadra e tij humbi 1-0 në transfertën vlonjate përball♪7 Flamurtarit.
Sa “djeg” një humbje e vendosur nga një episod?
Jam shumë i mërzitur. E kishim përgatitur ndeshjen për të mos dalë pa pikë nga Vlora, por e pësuam nga një gabim që bëmë. Ne gjithë kohës jemi në test, si për lojtarët dhe ne të stafit. Skuadra nga java në javë po mundohet të prodhojë diçka. Kishim përballë një ekip cilësor si Flamurtari, por jam i kënaqur me atë që dhanë çunat, ndonëse nuk arritëm dot të merrnim atë që kishim në plan.
E shikoni të evitueshëm golin?
Patjetër, ishte pakujdesi e jona. Mund të kishim pësuar një gol tjetër, por në faullet standard, duhej që 2-3 lojtarët kryesor të Flamurtarit të markoheshin me kujdes.
Lojtarët te momenti i golit çfarë detyrash kishin?
Nuk dua të merrem me këtë tani, sepse patjetër që dikush do gabojë,që të pësohet goli. Nuk morëm atë që kishim planifikuar dhe që kishim bindje që mund të merrnim në Vlorë, por duhet të shohim para.
Çfarë mendoni se ka më shumë Kamza se tre rivalët e tjerë, për të mbijetuar?
E kam thënë që lufta do jetë e fortë dhe e gjatë. Ai ekip që do mbijetojë, do tregojë më shumë dinjitet dhe karakter. Në qoftë se do të arrijmë të jemi të përgjegjshëm dhe t’i japim vetës dinjitet, unë mendoj se do t’ia arrijmë në fund të shpëtojmë.
Për çfarë ka nevojë Kamza në merkato?
Kemi nevojë për shumë pikë. Çdo gjë në momentin e duhur. Mendoj që kemi nevojë shumë për merkato. Duhet me patjetër të kemi alternative. Sot qëlloi të ishim pa dy qendërmbrojtës. Dobësuam mesfushën për t’i dhënë mundësi mbrojtës. Po të kishim alternativa, Arrabal do të kishte dhënë 200% në mesfushë.
A e shfrytëzoi Kamza psikologjikishit, humbjen e Tiranës?
Ishim më të qetë, por nuk ka vlerë, në qoftë se nuk arrin të marrësh dhe një pikë. Ekipi duhet të marrë çdo gjë që është e mundur, vetëm të mos humbë. Po të kishim marrë një pikë, do të kishim më shumë oreks në ndeshjen tjetër. Arritëm të bënim presion ndaj Flamurtarit. Ishim dinjitozë dhe nuk ishim në presion. Duhet të ecim para, kjo është e gjitha.



