Kategoria Superiore

Gjoka: Mbijetesa një sfidë, e fitojmë të bashkuar

Kur ngjitja është e vështirë, pamja që shijon në fund është mbresëlënëse. Kurthet dhe kthesat që mund të dërgojnë në humnerë janë të shumta, dhe këtë e ka të qartë Ernest Gjoka.

Kamza do vuaj, do ketë çaste kur do të duhet të pranojë disfatën, por e sigurt është që trajneri dhe skuadra nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga kampionati më i rëndësishëm në Shqipëri, pa luftuar deri në grimcën e fundit të energjive, për ta bërë këtë duhet respektuar një shprehje e vjetër dhe e njohur popullore “bashkimi bën fuqinë”.

“Kjo është një sfidë shumë e vështirë për mua, por mendoj se së bashku me skuadrën, por edhe me presidentin Qarri dhe kryetarin e bashkisë, duhet të jemi një grup dhe të ecim të gjithë së bashku. Në qoftë se vetëm një nga këto hallka nuk do të funksionojë ashtu siç duhet, atëherë do ta kemi shumë të vështirë”, tha Gjoka.

Themelet për të krijuar vetëbesimin hidhen gjithnjë në stërvitjen dhe përkushtimi e të gjithëve për të dhënë maksimumin. Edhe pse e shkurtër kjo periudhë përgatitore është jetike për të ardhmen e Kamzës.

“Është një fazë shumë e rëndësishme, pavarësisht se është një minifazë përgatitore. Do të punojmë shumë mbi përgatitjen fizike së bashku me komponentët e saj, si dhe aspektin psikologjik, për të rritur më shumë skuadrën nga ana e mentalitetit”, u shpreh tekniku Gjoka.

Largimi Erlis Frashërit nuk është festuar me “shampanjë” nga tekniku 48-vjeçar i cili prej më shumë se një muaj vijon të “lutet” për disa përforcime në repartin e mbrojtjes.

“Frashëri ka qenë një nga lojtarët kryesorë të skuadrës, kështu që nuk është pak. Megjithatë ne duhet të shohim përpara, sepse kemi forcat për ta zëvendësuar. E rëndësishme është që ardhjet e reja të jenë pozitive dhe të përshtaten sa më shpejt me skuadrën. Jemi fokusuar në tregun shqiptar dhe po luftojmë shumë në këtë aspekt, ndonëse kemi shumë pak alternative”, deklaroi Gjoka.

Në seancën e fundit stërvitore të Kamzës ishin të pranishëm dhe dy afrimet më të fundit mbrojtësi Arbër Shala i ardhur nga Drita e Kosovës dhe sulmuesi meksikan David Izazola. Pjesa e dytë e kësaj mini-faze mund të zhvillohet në Lecce të Italisë, por akoma nuk është vendosur përfundimisht.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency