Gladbachu “i bën gjëmën” Bayernit në Kupë, eliminohen edhe “Aspirinat”
Humbje turpëruese e Bayernit të Mynihut në ruandin e dytë të Kupës së Gjermanisë. Ekipi bavarez është mposhtur thellë 5-0 nga Borussia e Monchengladbachut, duke u larguar herët nga ky kompeticion, edhe pse konsiderohej favorit absolut për të ngritur lart trofenë.
Edhe pse trajneri Nagelsman hodhi në fushë formacionin titullar, nuk ia doli ta përballonte furinë e Gladbachut, që shënoi tre gola në 21 minutat e para. Zbllokoi takimin Kone që në minutën e dytë, pas shënoi dygolësh Bensebaini (15’ dhe 21’).
Në pjesën e dytë Bayerni jo vetëm që nuk pati fuqi për të reaguar, por pësoi edhe dy gola të tjerë, që mbajnë firmën e sulmuesit zvicëran Embolo.
Një tjetër eliminim i papritur ishte ai i Bayer Leverkusenit, që u mposht 2-1 nga Kralsruhe. Cueto dhe Choi Kyoung-Rok shënuan për skuadrën e Bundesligës së Dytë dhe mes këtyre finalizimeve për “Aspirinat” shënoi Frimpong, por që nuk ndihmoi për të shmangur humbjen.



