Gnabry bind, Gjermania gjen Klosen e ri
Gjatë viteve kanë qenë të shumtë lojtarët që kanë ardhur dhe kanë ikur me objektivin për të qenë ata zëvendësuesit e denjë të Miroslav Kloses, këpucët e të cilit prej vitesh janë varur në gozhdë pa gjetur ende trashëgimtarin e denjë.
Ish sulmuesi i Werder Bremen dhe Bayern Mynih e mbylli karrierën e tij të shkëlqyer me kombëtaren gjermane pas Botërorit të 2014-ës me një rekord në historinë e kësaj përfaqësueseje prej 71 golash.
Tashmë shtrohet pyetja e njëjtë si për përfaqësuesen, ashtu edhe për Bayernin e Mynihut, me të parën që ka parë prej kohësh lamtumirën e Kloses dhe me klubin kampion të Bundesligës, që shqetësohet për zëvendësuesin e Levandovksit, dhe përgjigja për të dyja mund të jetë pikërisht Serge Ganbry.
Klose e nisi me shifrat modeste të dy golave në 6 ndeshjet e para të zhvilluara me kombëtaren, ndërkohë që sot Serge Gnabry ka arritur statistikën e 5 golave në 6 sfidat ku ka mbajtur veshur fanellën e përfaqësues.
Në këtë mënyrë hapet diskursi se 23-vjeçari Gnabry është dishepulli natyral i numrit 9 të Gjermanisë, me teknikun Low që duket i lumtur nga aseti që disponon. Sidoqoftë duhet thënë se stili i lojës së të riut Gnabry është i ndryshëm si nga ai i Levandovskit, ashtu edhe i Kloses.
Ndoshta ai nuk ka shumë nga shqisat e tyre te mprehura në drejtime të ndryshme, por si golashënuesi i dytë më i mirë i Bayernit të Mynihut, pas Levandovskit, ai mund të jetë një lojtar që unifikon shumë prej kualiteteve të të dy këtyre emrave.
“Ai është një lojtar i vyer që na shton forcat në fushën e blertë. Një armë vdekjeprurëse për rivalët në drejtim të golit”, citohet të ketë thënë tekniku Low, pas sfidës ndaj Holandës, me Gnabry që shënoi golin e dytë në fitoren 3-2 të gjermanëve.



