Gnonto tregon emocionet e debutimit dhe arsyet e largimit nga Interi
Mancini gjen sulmuesin që e kërkonte prej kohësh. Në momentin më të vështirë të përfaqësueses italiane, tekniku vendosi të grumbullojë 19-vjeçarin Wilfried Gnonto, i rritur te Interi, por aktualisht pjesë e Zyrihut.
Sulmuesit të talentuar i mjaftuan vetëm 5 minuta në fushë ndaj Gjermanisë për të shpërthyer bukur dhe asistuar golin e të kaltërve, që u shënua nga kapiteni i Romës, Lorenzo Pellegrini.
Djaloshi 19-vjeçar nuk e fshehu kënaqësinë e debutimit, teksa zbuloi edhe arsyet pse zgjodhi të largohej nga Interi, për t’u bashkuar me Zyrihun.
“Jam shumë i kënaqur për debutimin. Mancini ka parë diçka te unë dhe doja t’i shpërblej besimin. Kur mora topin, e dija që Kehrer ka një karton të verdhë dhe provova mënjëherë driblimin. Na shkoi mirë dhe jam i lumtur. Largimi nga Interi? Te zikaltrit ndihesha si në shtëpi, megjithatë ndonjëherë duhen vendime të rëndësishme. Ne të rinjtë kemi nevojë të luajmë rregullisht për t’u rritur dhe e dija që te Interi nuk do të kisha shumë hapësira”, deklaroi Gnonto.



