Goditje për Partizanin: Këputi ligamentin e gjurit, Kardozo 6 muaj jashtë
Në sprintin final të sezonit, Partizani merr një goditje të madhe. Dëmtimi i Lukas Kardozos ishte po aq serioz sa u duk, me brazilianin që këputi ligamentin e gjurit dhe do të qëndrojë gjashtë muaj jashtë fushave.Sulmuesi u lëndua vetëm pak sekonda pas startit të sfidës ndaj Skënderbeut dhe megjithëse provoi të qëndronte në lojë, disa çaste më pas u largua nga fusha me barrelë. Vizitat mjekësore konfirmuan dëmtimin e rëndë në ligamentin e gjurit dhe faktin që lojtari po mendon ti nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale. Madje, në bisedat me drejtuesit e klubit dhe me stafin mjekësor, Lukas Kardozo i ka bërë të ditur se dëshiron që operacionin ta bëjë jashtë Shqipërisë, i asistuar nga menaxheri i tij.
Dëmtimi i brazilianit është i ngjashëm me atë të mbrojtësit Arbnor Fejzullahi, që u dëmtua në fillim të tetorit të kaluar dhe vetëm prej pak javësh është rikuperuar plotësisht, duke u stërvitur me skuadrën, edhe pse trajneri Dalipi ka vendosur që ende të mos e aktivizojë në ndeshjet e Partizanit.Një humbje e madhe për të kuqtë, duke nisur nga fakti që në gjashtë javët e mbetura të kampionatit, skuadra e Klevis Dalipit synon ta mbyllë mes tre të parave, për të siguruar pjesëmarrjen në Europa League, pa pritur verdiktin e finales së Kupës. Nëse ky objektiv do të realizohet, Partizani do të detyrohet të luajë pa Lukas Kardozon në arenën ndërkombëtare me brazilianin që pritet të rikthehet në fushë në periudhën shtator-tetor, në varësi të kohës së rehabilitimit.



