La Liga

Goli fantazëm i Messit, koha për teknologjinë edhe në Spanjë

Edhe për La Ligan ka ardhur koha që të përdorë teknologjinë në futboll. Në duelin e kryesuesve në Mestalla, Barcelonës iu mohua një gol i pastër përballë Valencias. Episodi i kontestuar u regjistrua në minutën e 30-të, kur topi i goditur nga Lionel Messi kaloi vijën e portës, por pavarësisht festës dhe më pas pretendimeve të lojtarëve blaugrana, loja vazhdoi.

E ndërsa tifozët dhe gazetarët në stadium e kuptuan se portieri Neto e largoi topin brenda portës, ky element nuk u vu re nga asistenti i arbitrit, pavarësisht se ai ndodhej në pozicion mjaft të mirë. Episodi mund të kishte ndryshuar rrjedhën e ndeshjes që u mbyll në barazim 1-1, me katalanasit që u detyruan të rikuperonin disavantazhin me Jordi Alban, pas golit të avantazhit të vendasve me Rodrigon.

Pak kohë më parë, Javier Tebas, presidenti i Ligës Profesioniste të Futbollit në Spanjë deklaroi se teknologjia e vijës së portës është shumë e kushtueshme, por në vitin 2017 ajo duket një domosdoshmëri. Për momentin, kampionati spanjoll është liga e vetme mes pesë më të mëdhave në Europë që nuk përdor teknologjinë e pavarësisht se sistemi VAR do të jetë funksional prej sezonit 2018-’19, ai nuk parashikon përsëritjet e aksioneve në rastet e dyshimta nëse topi ka kaluar apo jo vijën e portës.

Me barazimin në Mestalla, Barcelona ruan diiferencën me 4 pikë nga Valencia, ndërsa Atletico e Madridit dhe Reali tashmë janë 8 pikë larg. Episodi nuk kaloi pa u komentuar nga klubi blaugrana dhe mediat katalane, që shohin historinë të përsëritet.

Barçës iu mohua një gol i pastër edhe në ndeshjen me Betis gjatë sezonit të kaluar. Nuk ka dyshim që ai moment ndikoi në garën për titull, me skuadrën që në fund humbi garën për titullin në La Liga për vetëm 3 pikë. Nëse goli fantazëm i një edicioni më parë nuk i bindi drejtuesit e futbollit spanjoll që teknologjia në fushë është e domosdoshme, kjo situatë pritet të ndryshojë pas episodit të kësaj fundjave.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency