Goli i parë me Genoan, Ekuban: Ka një shkak pse shpërtheva në lot, Sheva idhull
Caleb Ekuban u transferua në merkaton e verës nga turqit e Trabzonspor te Genoa, me drejtuesit e klubit më të vjetër italian që paguan 1.8 milion euro për kartonin e ish-sulmuesit të Partizanit.
27-vjeçari ganez gjeti golin e parë me ekipin italian mbrëmjen e kaluar, duke i dhuruar Genoas fitoren 1-0 ndaj Salernitanës dhe kualifikimin në raundin e 1/8-ve në Kupën e Italisë.
Ekuban nuk i përmbajti lotët pas golit, teksa në prononcimin e dhënë për Italia 1 shprehu lumturinë e tij për golin e parë me Genoan. Në stol ndodhet Andriy Shevchenko, idhulli nga i cili po mëson shumë.
“Jam shumë i lumtur për golin. Lotët pas golit janë rezultat i një shpërthimi të diktuar nga momenti që po kalojmë. Ndihem mirë që goli im solli kualifikimin e ekipit në raundin tjetër të Kupës së Italisë.
Nuk ishte një ndeshje e lehtë, kjo fitore është shumë e rëndësishme edhe për të fituar besimin dhe vetëvlerësimin”, deklaroi sulmuesi afrikan, i cili e mbyll prononcimin e tij me një koment për Andriy Shevchenko.
“Sheva është një idhull për mua, ai ka fituar gjithçka në këtë sport. Sa herë që flet dhe më shpjegon gjëra, unë ndjej admirim dhe përpiqem të përfitoj sa më shumë”, deklaroi sulmuesi afrikan.



