Goli vendimtar, Xhaka shpërbleu besimin e Panuccit
Rrugëtimi i Taulant Xhakës me Kombëtaren shqiptare është shoqëruar gjithnjë me komente nga të gjithë. Çdo gjë nisi me zgjedhjen e tij, shumë të duartrokitur sepse preferoi të veshë fanellën kuq e zi, ndërsa edhe me emocionuese akoma u bë kjo situatë, kur merrej parasysh fakti se i vëllai, Graniti luan për Zvicrën.
Paraqitje pozitive, por në hero dhe idhull u shndërrua në Beograd, ku përveç dronit, të gjithë kujtojnë se sa shumë luftoi veçanërisht ai, që flamuri të mos përdhosej.
Euro 2016, kapitull më vete, nga një ëndërr e bukur, në pasoja të tjera. Sfida ndaj të vëllait e emocionoi jo vetëm atë, por të gjithë Shqipërinë, dhe zëvendësimi në atë ndeshje nuk e la të kënaqur, këtë fakt nuk u mundua ta fshihte për asnjë çast.
Pavarësisht të gjithave, problemet e vërteta lindën disa muaj më pas, kur marrëdhënia e Taulantit me De Biasin u ftoh deri në një pikë ku të dy nuk mund ta mbanin më të fshehtë, dhe nisën akuzat drejt njëri-tjetrit, dikush ca më të frenuara e dikush më të drejtpërdrejta.
Trajnerët vijnë e ikin, në mbetemi, ishte një nga fjalitë e Taulantit dhe në fakt kishte të drejtë. De Biasi u largua e me Panuccin në krye, nuk është se Taulanti e nisi aq mirë sa mendohej.
E madhe u bë historia se si lojtari e la trajnerin ta priste në Zvicër për orë të tëra e në fund nuk mundi ta takonte, kur italiani donte t’i fliste për rikthimin në kombëtare.
Gjithsesi Christian Panucci u tregua i qetë dhe i hapi edhe njëherë derën Xhakës, ndërsa ky ia shpërbleu ashtu siç Panucci ndoshta nuk do e kish imagjinuar. Një gol, 3 pikë në “Elbasan Arena”, përpara tifozëve kuq e zi, për të nisur me këmbën e mbarë turneun më të ri të UEFA-s. Panucci riktheu Xhakën, ndërsa ky i fundit riktheu Shqipërinë te fitoret.



