Greqia shkëputet nga Kosova, Ukraina gjen fitoren e parë, Azerbajxhani i De Biasit s’ngre kokë
Për Kosovën do të jetë shumë e vështirë, për të mos thënë e pamundur që t’i mbyllë eliminatoret në një pozicion më të mirë se vendi i parafundit. Në Grupin B, Greqia fitoi 0-2 në fushën e Gjeorgjisë, skuadrës më të dobët të grupit, me gola të shënuar nga Bakasetas dhe Pelkas në fundin e takimit, më saktë në minutat 90’ dhe 90+5’.
Ukraina gjen më fund fitoren në eliminatoret e Botërorit “Katar 2022” pas pesë barazimeve radhazi. Këtë e bën në fushën e Finlandës me rezultatin 1-2. Të gjitha golat e kësaj ndeshjeje u realizuan në pjesën e parë, teksa për miqtë shënuan Yarmolenko dhe Yeremchuk, ndërsa për Finlandën nuk mjaftoi finalizimi i Pukkit. Me këtë sukses, Ukraina zhvendos në vendin e tretë Bosnjë Hercegovinën.
Në Grupin F, Skocia triumfoi 3-2 përballë Izraelit, duke “blinduar” për momentin vendin e dytë. Zahavi shënoi për Izraelin që në minutën e katërt, por barazoi McGinn pa u mbushur gjysmë ore lojë. Dabbur riktheu epërsinë e miqve vetëm dy minuta më vonë, por skocezët, që humbën një 11-metërsh në fundit e fraksionit hapës, realizuan dy herë në gjysmën e dytë të ndeshjes me Dykes dhe McTominay.
Tjetër humbje për Azerbajxhanin e Gianni De Biasit, këtë herë 0-3 përballë Irlandës. Golat për miqtë u shënuan dy nga Robinson dhe ai i rezultatit përfundimtar nga Ogbene.



