Grup i plotë dhe atmosferë pozitive: Kosova pa frikë, synon triumfin në Selanik
Të premten në stadiumin “Fadil Vokrri” u zhvillua seanca e dytë stërvitore pas ndeshjes miqësore me Jordanine.
Për dallim nga stërvitja e kaluar, në seancën e sotëm ishin të pranishëm të gjithë futbollistët e Kosovës.
Atmosfera dukej pozitive, edhe pse skuadra vjen nga rezultate negative, teksa futbollistët janë shprehur se do shkojnë për fitore në ndeshjen ndaj Greqisë.
Trajneri Gliha, edhe këtë herë vendosi futbollistët në vrapim rreth fushës dhe pastaj ekipi zhvilloi stërvitje tekniko-taktike.
Futbollistët dardanë nuk kanë ndonjë problem me lëndimet, ndërsa pas stërvitjes së fundit do të vendoset edhe për formacionin titullar.
Kosova do niset të shtunën drejt Greqisë ku do zhvillojë seancën e fundit stërvitore, si dhe do të mbajë edhe konferencat për mediet.
Me ndeshjen ndaj Greqisë (14 nëntor, 20:45, Selanik) Kosova do të përfundojë edhe një tjetër cikël eliminator, veçse këtë herë shpreson ta mbyllë me rezultat pozitiv.



