Guardiola: Ndaj Chelseat si një finale, kanë skuadër fantastike
Manchester City-Chelsea është dueli që ofron kjo e diel në Premier Leaguen angleze, ku kampionët në fuqi do të tentojnë të ruajnë pozicionin e tyre, pasi tashmë janë ringjitur në vendin e parë të tabelës së klasifikimit, pikërisht përballë bluve të Londrës, vendit të katërt në klasifikim, por që me herët gjatë këtij sezoni ka treguar se ka stofin që të mundë organikën e Guardiolës. Në konferencën për shtyp në vigjilje të këtij dueli, spanjolli Pep Guardiola e cilësoi këtë betejë si një finale në luftën për titull.
“Kur shoh Chelsean, e kuptoj shumë mirë se çfarë po përpiqen të bëjnë. Kur sheh skuadrën, lojtarët, stolin dhe thellësinë këtij klubi, e kupton. Bëhet fjalë për Chelsean, që ka ndër sulmuesit më të mirë në botë në organikë, por edhe një mesfushë plot kualitet nga më të mirët në botë. Kanë një organizim të mirë, mbrojtje dhe sulm të mirëmenduar. Dinë shumë mirë se çfarë duan të bëjnë dhe unë kam shumë respekt për ta. Ndaj për ne takimi i së dielës ndaj tyre mund të konsiderohet si një finale dhe me këtë mentalitet do të zbresim në fushë”, tha Guardiola.
Me pas tekniku i Manchester Cityt ndalet edhe tek prurja e re në organikën e Sarrit, Gonzalo Higuain, i cili javën e kaluar shënoi edhe golat e parë për skuadrën londineze.
“Një sulmues masiv, me lëvizje të pabesueshme. Një lojtar që nuk duhet të sforcohet shumë për të gjetur golin. Eksperienca e tij e pasur në Itali me Napolin, Juventusin, Milanin, por sigurisht dhe me kombëtaren argjentinase, e bëjnë një sulmues të jashtëzakonshëm”, u shpreh trajneri i Cityt. .



