Guardiola nuk toleron sjelljen e keqe jashtë fushe, dy talentet përfunduan në stol
Pep Guardiola nuk njihet si ata trajnerë të cilët nuk dinë të “mbyllin një sy” kur vjen puna te sjellja e lojtarëve jashtë fushe. Tekniku spanjoll ka ditur t’i dalë në krah futbollistëve për të ruajtur raportin me ta, mirëpo së fundmi nuk ka qenë ky rasti me Phil Foden dhe Jack Grealish.
Dyshja përfundoi në stol në sfidën e fundit të kampionatit ndaj Newcastle, teksa u mendua se kjo zgjedhje e spanjollit erdhi si pasojë e një rotacioni prej kalendarit të ngjeshur. Megjithatë, vetë Guardiola ka shpjeguar se lënia në stol e dy talenteve nuk kishte të bënte me zgjedhje taktike, por me sjelljen e tyre jashtë fushës.
“Ulja në stol e Grealish dhe Foden nuk kishte të bënte aspak me një rotacion, unë në fushë vendos ata që e meritojnë të luajnë. Në periudhën e Krishtlindjeve unë e shikoj me shumë vëmendje sjelljen e lojtarëve, në fushë dhe jashtë saj.
Dhe, kur sjellja e tyre jashtë fushe nuk është korrekte atëherë ata nuk do të luajnë si titullarë. Në këtë periudhë duhet të jemi të përqëndruar sepse janë Krishtlindjet, festat dhe gjithçka mund të ndodhë”, u shpreh tekniku 50-vjeçar.



