Guardiola: Ronaldo, makinë golash, s’duhet ta lejojmë t’i afrohet zonës
Ai është kërcënimi kryesor për Manchester City-n, sipas Pep Guardiolës. Një futbollist që është përballur në shumë raste, si në ligën spanjolle ashtu edhe në kompeticionet evropiane me teknikun e Citizens. Pas fitores “blu”, në “Old Trafford”, në fazën e parë Pep Guardiola dhe Cristiano Ronaldo do të përballen sërish të dielën. Në konferencën për shtyp të kësaj të premteje, katalanasi foli për potencialin dhe evolucionin e portugezit:
“Ai është një nga lojtarët më të mirë të 15 viteve të fundit përkrah Messit. Nuk do të shohim më kurrë diçka të tillë. Kur arrin kaq shumë gjëra, je nën vëzhgim çdo ditë. Sidomos sot, me mediat sociale. Ai ka qenë shumë i mirë dhe është një finalizues i jashtëzakonshëm. Ishte gëzim ta shikoje duke luajtur gjatë gjithë këtyre viteve. Ne duhet të menaxhojmë lojën dhe forcën, ta pengojmë atë të afrohet me topin”, – tha trajneri përpara ndeshjes së së dielës.
“Kur luajtëm në “Old Trafford”, e kontrolluam lojën, dhe herën e parë që tentoi, Ederson bëri një pritje të jashtëzakonshme. Ai ka shumë cilësi, ne duhet ta kontrollojmë, sepse është një nga më të mirët, një makinë golash, dhe gjithmonë ka një mentalitet shumë të fortë, e përballon presionin pa probleme.”
Pep Guardiola foli edhe për një tjetër portugez, Rúben Dias. Qendërmbrojtësi mbetet jashtë dhe, sipas trajnerit të City-t, i duhet ende kohë për t’u rikthyer në skuadër:
“Ai do të mungojë nga katër deri në gjashtë javë. Do të doja që ai të luante, por nuk mundet. Nuk do të qaj, nuk kemi çfarë bëjmë. Kemi lojtarë të mirë në dispozicion, 14 ose 15”.



