Guri: Falje për rastin e humbur, s’heqim dorë nga titulli
Sidrit Guri ishte pika më e fortë e Kukësit në transfertën e humbur me Skënderbeun. Realizoi golin e barazimit të përkohshëm, por pati një tjetër rast ideal për të shënuar të dytin. Dalja e shpejtë e Orges Shehit rezultoi vendimtare në atë moment. Sulmuesi shkodran kërkon falje për atë rast të humbur dhe nuk pranon daljen e Kukësit nga gara për titull.
“U ndëshkuam në momentin më të mirë tonin. Në rastin që humba, kërkova ta kapja në kundërkohë Shehin, por nuk ia arrita. E pranoj, ishte faji im. Skënderbeu është skuadër e fortë, e tani duhet të shohim përpara. Dëshpërohemi nga kjo humbje, por besojmë te titulli, se po të mos besonim, më mirë të mos e vazhdojmë fare kampionatin. Nëse do ta kisha shënuar golin e dytë, ndeshja do të kishte marrë tjetër rrjedhë.”



