Kategoria Superiore

Gurishta: Harrojeni, nuk ka grupime te Vllaznia! Ku gabuam vjet

Në konferencën përpara ndeshjes me Erzenin, kapiteni i Vllaznisë, Erdenis Gurishta, u shpreh se skuadra është gati për këtë sezon të ri dhe se lojtarët hyjnë me ide të qarta.

Vllaznia është gati për sezonin e ri në Abissnet Superiore. Kuqeblutë e Mirel Josës synojnë fitimin e titullit kampion, ndërkohë që të shtunën (17:00) do të luajnë në “Niko Dovana” përballë Erzenit.

Kapiteni i ekipit shkodran, Erdenis Gurishta preku disa tema në konferencën për shtypin, duke u ndalur te sfida e parë në kampionat, objektivat e Vllaznisë dhe forma që po kalon.

SITUATA – “Kemi punuar shumë për këtë ditë. Kemi filluar përgatitjet shumë herët, pasi kemi marrë pjesë në Europë. Ndoshta nuk ja dolëm, edhe pse dëshira ishte shumë e madhe, por kundërshtari ishte shumë i fortë, të flasim realitetin. Gjithsesi, nuk jemi pishman. Objektivat janë të jemi sa më të fortë në kampionat. Mezi po presim ditën e nesërme. Do të futemi në fushë të japim maksimumin”.

ERZENI – ”Duhet ta vlerësojmë kundërshtarin, nuk ka rëndësi është Erzeni apo kampionia në fuqi, pasi do të jetë i njëjti impenjim. Duhet të shkojmë me këtë ide. Nuk kishim ndonjë dëshirë ta nisnim brenda ose jashtë. E rëndësishme është ta nisnim me fitore”.

EKIPI – “As vitin e kaluar, as para vitit të kaluar, as këtë vit, Vllaznia nuk ka pasur grupime. S’ka asgjë të vërtetë në këtë mes. Te Vllaznia ka pasur gjithnjë harmoni mes lojtarëve, dhe do të ketë harmoni. Dhe këtë vit ky grup duket i bashkuar, ka harmoni, ka dëshirë”.

E KALUARA – “Para vitit të kaluar, vitin që u shkëputëm shumë dhe humbëm titullin, ndoshta nuk kishim ato pretendime. Ishim një grup i ri i formuar, por ja dolëm. Fituam Kupën e Shqipërisë. Dolëm nënkampion, e humbëm titullin për një pikë.

Vitin e kaluar hymë me objektiva shumë madhore dhe ky ishte gabimi jonë, sepse presioni na bëri që në përfundim të fazës së dytë na bëri që të ishim jashtë gare. Këtë vit do të futemi me ide të tjera. Do t’i marrim ndeshjet një nga një dhe të shpresojmë që çdo gjë të na eci mbarë”.

FORMA – “Besoj se jam në formë optimale. Gjithsesi këtë duhet t’ia lëmë fushës, nuk duhet ta tregojmë me fjalë. Pata një dëmtim që tani e kam kaluar, jam në 100% tim. Mezi po pres ditën e nesërme”.

VLLAZNIA – “Jemi një grup shumë i mirë, lojtarët që janë afruar janë harmonizuar shumë mirë me ekipin. Unë besoj se ekipi është mjaft i mirë, por na mbetet ta tregojmë në fushën e lojës”.

KONKURRENCA – “Konkurrenca rrit nivelin e skuadrës. Kjo është gjë shumë e mirë, sepse ka shumë lojtarë që duhet ta justifikojnë formacionin. Gjë e mirë sepse kampionati është i gjatë. Mund të kemi dëmtime, mund të kemi kartonë, do të jetë dhe Kupa. Dhe një skuadër të ketë shumë lojtarë cilësor është diçka pozitive”.

TESTONI NJOHURITË TUAJA RRETH PREMIER LEAGUE

QUIZ/ Premier League 2021-2022 – Sa mirë e kujtoni sezonin që sapo u mbyll?

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency