Gurishta: Kujdes Bylisin, duhet të djersijmë për 3 pikët!
Vllaznia këtë të mërkurë do të sfidojë Bylisin në Ballsh, sfidë e vlefshme për javën e 15-të të Kategorisë Superiore. Në konferencë për shtyp përpara kësaj doli kapiteni i shkodranëve Erdenis Gurishta i cili parlajmëroi skuadrën e tij të kenë kujdes nga ekipi i Dovedan. Gurishta i cili mungoi pasi kishte plotësuar numrin e kartonëve të verdhë ndaj Kukësit, do të jetë një forcë më shumë për trajnerin Brdaric për përballjen ndaj Bylisit.
“E kam lënë pezullimin pas dhe jam i lumtur që jam rikthyer, siç isha i lumtur për ndeshjen që zhvilluam ndaj Kukësit. Kruja e bëri shumë mirë rolin e mbrojtësit të djathtë. Tani mendojmë për ndeshjen e radhës”, u shpreh fillimisht Gurishta.
Më tej ai foli për duelin me Bylisin, kundërshtar të cilin mbrojtësi i djathtë e vlerëson maksimalisht. “Nuk duhet parë klasifikimi. Bylisi nuk është skuadra e sezonit të kaluar, janë shumë agresivë në fushën e vet. Do jetë e vështirë, ata kanë në favor fushën që nuk ka nivel si e jona apo edhe ajo e Elbasanit. Të marrim masat dhe të shkojmë atje vetëm për tri pikë”, u shpreh Gurishta gjatë konferencës për shtypin ditën e sotme, para se shkodranët të niseshin drejt qytetit të Fierit.



