Gurishta: Teutës ja kemi marrë dorën, titulli vendoset javën e fundit!
Bashkë me trajnerin Thomas Brdaric në konferencën për shtyp të Vllaznisë ishte i pranishëm edhe mbrojtësi dhe kapiteni Erdenis Gurishta i cili theksoi se humbja ndaj Tiranës është lënë pas në kampin shkodran dhe vëmendja është e gjitha tek Teuta një ndeshje në të cilën shkodranët do të kërkojnë të marrin tre pikët.
“Javët e fundit kemi luajtur mirë dhe kemi marrë rezultate, përveç ndeshjes së fundit, ku luajtëm mirë dhe humbëm. Nuk e merituam humbjen sepse erdhi si pasojë e një momenti pa përqendrimi në zonë. Tirana erdhi një herë në portë dhe shënoi, ne kishim disa raste dhe nuk ia arritëm. Kështu është futbolli. Atë humbje e kemi lënë pas dhe përqendrohemi te ndeshja e nesërme. Kundra Teutës gjithmonë ka qenë e vështirë, por kemi treguar se dimë si ta mundim Teutën dhe kam besim se nesër ndeshja do flasë për ne. Ky kampionat deri në javën e fundit do shkojë kështu”.
Nëse ne fitojmë të hënën, do ngjitemi të dytët ose të parët dhe Teuta shkon e treta. Gabimet në mbrojtje? Duhet të jemi më të vëmendshëm në ato raste që na krijojnë. Nesër do jetë një ndeshje shumë e ndërlikuar. Jemi të qetë, nuk kemi fare presion, futemi në fushë për më të mirën. Nuk mund të them se një rezultat negativ do na nxirrte jashtë garës, nuk i mendojmë këto skenare, përqendrohemi te ndeshja e nesërme. Le ta kalojmë me sukses më pas mendojmë për 5 ndeshjet e mbetura”, u shpreh Gurishta.



