Hallaçi: Ndaj Laçit fitore kthese, por nuk do bëjmë festë. Presim rikthimin e trajnerit Gega
Kukësi nënkampion i Shqipërisë gjeti fitoren e parë sezonale në kampionat, pasi mposhti me rezultatin minimal 1-0 skuadrën e Laçit. Me trajnerin Gega që është nisur drejt Turqisë për t’u kuruar nga Covid-19, në pankinë është ndihmësi i tij, Rrahman Hallaçi, që komentoi fitoren e sotme ndaj kurbinasve dhe theksoi se shumë shpejt verilindorët do të kthehen në nivele të larta.
Sa i kënaqur jeni për fitoren e parë në kampionat?
Më gëzon fakti që pas 2 ndeshjeve të para të kampionatit fituam në Kupë, dolëm mirë me Teutën duke marrë një pike dhe sot morëm një fitore të merituar. Laçi është skuadër me grintë dhe pavarësisht gabimit të portierit, edhe lojtari ynë bëri presionin e duhur. Jemi në ngritje dhe lojtarët po bindin nga dita në dita. Ende na duhet pak kohë, që të marrim maksimumin, pasi kemi shumë lojtarë që janë afruar në merkato këtë vjeshtë. Vetëm Limaj dhe Lulaj janë nga sezoni i shkuar.
Më në fund skuadra largohet nga vendi i fundit, që dukej paksa i çuditshëm…
Nuk do bëjmë ftesë që kemi fituar sot, pasi kemi investuar ndër vite për të qenë në krye dhe nuk mund ta shikojmë Kukësin në fundin e tabelës. Ishte një fitore kthese. Skuadra prodhoi, donim ta mbronim golin dhe ia arritëm deri në fund. Kemi ende punë për të bërë, por kemi skuadër të re. Edhe sot në qendër të mbrojtës kemi pasur 19-vjeçarë.
Ju bind Kukësi i këtij sezoni?
Kemi bërë një merkato cilësore. Duhet pak kohë për të marrë maksimumin. Sot pamë edhe Ibrahimin që po e merr veten. Do të jetë lideri i skuadrës. Mezi po e presim që të vijë profesori. Duhet të jetë mirë me shëndet, më pas gjërat e tjera.



