Handa “kyç” portën, te Interi planifikojnë rinovimin me kusht
Samir Handanovic është rikthyer një siguri për Interin, pasi prej 6 ndeshjesh radhazi në kampionat nuk pëson gol dhe në gjithë fazën e parë e ka nxjerrë vetëm 15 herë topin nga rrjeta, megjithatë e ardhmja duket e paqartë për gardianin.
Zikaltrit kanë arritur marrëveshjen me portierin kamerunas Andres Onana, i cili do të vijë në fund të sezonit në Milano dhe pritet të marrë vendin e titullarit, ndërsa kapitenit aktual i skadon kontrata dhe deri tani nuk është folur ende për rinovimin.
Plani i drejtuesve të Interit është që të ulen në tryezë me 37-vjeçarin slloven në fund të janarit, për të kuptuar edhe planet e tij, pasi nëse Handanovic synon të luajë ende edhe për disa sezone si titullar, atëherë do të duhet të gjejë një skuadër tjetër.
Por nëse portieri është duke planifikuar tërheqjen graduale, atëherë te Interi janë gati t’i ofrojnë rinovimin me përgjysmim page, në mënyrë që të qëndrojë si portier i dytë për një apo dy sezone e më pas të marrë një rol drejtues.
Gjithsesi edhe vetë portieri nuk e ka ndarë mendjen se çfarë do të bëjë, pasi për momentin asnjë klub i madh nuk është gati t’i ofrojë një rol të rëndësishëm, ndaj nuk përjashtohet mundësia që të vijojë me Interin, ose të tërhiqet përfundimisht nga futbolli i luajtur.



