Haris Fakiç: Nuk ua tregojmë sekretet kundërshtarëve
Haris Fakiç analizon garën në Superiore deri në këtë pikë të kampionatit. I ftuar në “Zona Gol” drejtori sportiv i Skënderbeut tha se ka mbetur i befasuar nga paraqitjet e Kukësit. Ja si iu përgjigj Fakiç pyetjeve të panelit.
Cili është profesioni që të pëlqen pas atij të futbollistit?
Meqë jam drejtor sportiv dhe Skënderbeu është i suksesshëm, si rol më pëlqen shumë. Ndaj më pëlqen puna ime që po bëj tani.
Skuadra e huaj me të cilën jeni tifoz?
“Të them të drejtën, skuadra ime e zemrës kur isha i vogël ishte Real Madrid, Nëse duhet të zgjedh në Serinë A, mund të them se kam më shumë qejf Interin.
Si ju duket ecuria e Realit në këtë sezon?
Real Madridi u vonua të ndizte motorët në këtë edicion, nuk është ekipi që ishte një vit më parë.
Me kë e krahason Skënderbeun?
Është si Real Madrid, si Reali i vjetshëm, jo ky tani”.
Si e shihni rivalitetin në kampionat?
“Jemi shkëputur pak, na jep komditet. Por futbolli është i paparashikueshëm, duhet të jemi të përqendruar. Objektivi kryesor është të kthejmë titullin në Korçë. Por nuk di të them një skuadër rivale, sepse janë ekipe si Kamza, Flamurtari e Kukësi në këto momente. Por mendoj se në këto moment Skënderbeu po tregon një lojë të bukur, një vendosje të mirë dhe një ide të qartë ku do të dalë dhe shpresojmë të vazhdojmë kështu. Ndjekësit kryesorë janë Flamurtari, që po tregohet serioz, Kukësi është thuajse e njëjta skuadër, pavarësisht se na surprizoi me këtë humbjen sot”.
Si u afruat te Skënderbeu?
Ishte hap i madh për karrierën time afrimi te Skënderbeu. Para se të vija e dija që ishte skuadër shumë e sukseshme, me në krye Takajn, i cili në vitet e fundit ka bërë një mrekulli në futbollin shqiptar. Ia di për falëminderit se më dha këtë rast të tregoj kualitetin, njohurinë time në futboll, të gjithë që kisha për t’i dhënë futbollit. Më vjen mirë që vlerësohet puna ime. Por mund të them se tani jam këshilltar i parë i Takajt, dhe çdo gjë, analiza, blerje, shitje, jam prezent për shumë gjëra.
Si e sheh merkaton e janarit?
“Janari nuk është shumë i përshtatshëm për transferime, se pjesa më e madhe janë në gjysmë të sezonit. Largime? Ne kemi futbollistë të përshtatshëm me kërkesat europiane, me moshën dhe paraqitjen që kanë bërë në Shqipëri e Europë. Nuk mund të paralajamëroj me siguri transfertë në janar. Diçka është e hapur, por Skënderbeu nuk mendon këto momente shumë për shitje, ndoshta edhe për afrime, pasi puna po ecën mirë. Kemi komoditetin e kohën për të menduar. Janarin ndoshta është më mirë ta kalojmë siç jemi”.
Shehi…
Ai është një person i jashtëzakonshëm, që ka sakrifikuar shumë për klubin, ai që ka bërë më shumë ndeshje zyrtare. Ai duhet të ketë respekt të plotë nga e gjithë Shqipëria, se ka qenë pjesë e Kombëtares, ai ka dhënë gjithçka pozitive te klubi jonë. Nuk është rastësi asgje, rastësia nuk ekziston. Për rezultatet që ka arritur Skënderbeu, ndoshta meritë pas presidentit Takaj dhe ekipit në përgjithësi, mund të them se pjesa më e madhe i takon portierit Shehi.
Unë kam shpresë që largimi i tij nuk do të ndodhë shpejt, por ne mendojmë gjithçka. Për momentin kemi porterë që japin shenja pozitive, edhe Shehi është këshilltari ynë, pasi bashkë me Bozhiqin po punojnë me Teqjan e Dajsinanin përditë dhe e dinë më së mirë çfarë na mungon apo jo. Për momentin jemi të qetë në këtë drejtim, i kemi dy. Por jemi duke menduar çdo gjë. Nëse do të reagojmë, do e bëjmë me kohë”.
Cili është transferimi më i mirë?
Nëse flasim për Skënderbeun, është transferimi i parë që është më i bujshmi dhe me vlerë për ne, se ishte hapja e punës time produktive te Skënderbeu. Bëhet fjalë për Peter Olajinka, më ka lënë përshtypje dhe është transferimi më i pëlqyeshëm te Skënderbeu.
Çfarë këshille ke për Kukësin?
Këshillat nuk ua jap kundërshtarëve. Ndryshimet e trajnerit, futbollistëve e strukturës janë një punë që duhet menduar shumë më thellë e më mirë. Ne kemi treguar se ndryshimet te ne nuk bëhen shumë shpesh dhe kjo është këshillë për skuadrat e tjera. Për afrimin e fundit të Flamurtari…
Flamurtari kishte një merkato shumë të madhe këtë vit dhe vazhdon edhe në janar se me siguri ambiciet e klubit janë të mëdha këtë vit. Muarem Muarem e njoh, ndonëse për shumë kohë ka luajtur jashtë kampioantit maqedonas. Ai ka qenë me Agollin te Karabak për shumë kohë. Mendoj se Flamurtari ka qenë efikas, mendoj se bëhet fjalë për një afrim të madh që ka kualitet edhe është surpriza e madhe e Flamurtarit, duke pasur parasysh se ishte numri 10 i Karabakut deri një vit më parë.”



