Hazard drejt Realit, Chelsea piketon zëvendësuesit e mundshëm
Eden Hazard e ka ndarë mendjen për t’u larguar nga Chelsea në fund të këtij sezoni, pasi edhe marrëdhëniet me Maurizio Sarrin nuk janë fort të ngrohta, ndërsa destinacioni i belgut duket se do të jetë ëndrra e tij e hershme, Reali i Madridit.
Në Londër e kanë pranuar këtë fakt dhe presin arkëtimin e 110 milionë eurove, për të lënë të lirë sulmuesin anësor, ndërsa drejtuesit e Chelseat kanë filluar të piketojnë emrat që mund të jenë pasuesit e mundshëm të 28-vjeçarit.
Sipas mediave angleze, lista me pasuesit e mundshëm të Eden Hazard, është e përbërë nga 6 futbollistë, ku spikasin emra të bujshëm si Philippe Coutinho, Isco, Christian Eriksen, Marco Reus, Lorenzo Insigne, por edhe talenti meksikan i PSV Eindhovenit, Hirving Lozano.
Ylli brazilian i Barcelonës, është emri që bën bashkë si drejtuesit e londinezëve, ashtu edhe trajnerin Sarri, pasi Coutinhyo ka një të shkuar të ndritur në kampionatin anglez, kur ishte pjesë e Liverpoolit.
Për më tepër, Philippe Coutinho nuk po arrin të gjejë veten te Barcelona, pasi edhe pse është aktivizuar në shumë takime si titullar, nuk shikohet si i pazëvendësueshëm dhe rritja e nivelit të Ousmane Dembele, hedh pikëpyetje mbi të ardhmen e brazilianit në Katalunjë.
Megjithatë problem mbetet çmimi, pasi Barcelona shpenzoi rreth 150 milionë euro për të marrë brazilianin nga Liverpooli dhe tashmë pas 18 muajsh, vështirë se do të pranonte të hiqte dorë për më pak se 120 milionë euro, ndërsa Chelsea shpreson të mbyllë marrëveshjen përreth 80 milionë euro.
Një pistë më e mundshme është ajo e spanjollit të Realit, Isco, i cili nuk gëzon raporte të mira me Santiago Solarin dhe nëse ky i fundit do të konfirmohet në stolin e madrilenëve, atëherë do të jetë pikërisht fantazisti që do të largohet, ndërsa pretendimet e “Los Blancos” janë për të përfituar rreth 70 milionë euro.
Më të vështira mbeten pistat e Christian Eriksen dhe Marco Reus, pasi për danezin, Tottenham vështirë se do të pranonte ta shiste po në Londër dhe për më tepër në nëj skuadër rivale, ndërsa gjermani nuk duket i predispozuar për të nisur një aventurë larg atdheut të tij.
Së fundi është Lorenzo Insigne, një emër që pikërisht nënë drejtimin e Sarrit, arriti edhe kulmin e karrierës së tij, duke u shndërruar në një lider te Napoli, ndaj tekniku italian do të ishte i gatshëm të paguante rreth 100 milionë euro për ta marrë tashmë në Londër.
Transferimi i Insignes është i lidhur ngushtë me atë të meksikanit Lozano, të cilin Napoli e kërkon prej kohësh dhe ka avancuar në negociatat me PSV-në. Nëse italianët ia dalin të marrin meksikanin, atëherë mund t’i hapnin udhë largimit të Insignes te Chelsea.



