Hazard përplaset me mjekët e Real Madrid, Superkupa nxjerr në pah problemet
E ardhmja e Eden Hazard te Real Madrid mund t’i ketë ditët e numëruara. Belgu ishte i grumbulluar në finalen e Superkupës së Spanjës, në sfidën e fituar 2-0 përballë Athletic Bilbao, por Hazard nuk luajti asnjë minutë. Qëndrimi i tij i ftohtë në festën e trofeut të parë sezonal ka ngritur shumë pikëpyetje dhe mediat belge e bëjnë një fakt të kryer largim in e tij nga Madridi dhe se ky ishte trofeu i fundit me Realin për Eden Hazard.
Një situatë e pakëndshme, pasi Hazard jo vetëm ka humbur besimin e trajnerit Carlo Ancelottit, por burime pranë klubit bëjnë me dije se lojtari ka patur përplasje edhe me stafin mjeksor të klubit madrilen. Shkak është bërë gjëndja fizike e lojtarit, pasi stafi mjekësor ka kërkuar që Hazard duhet të operohet përsëri ndërsa belgu e ka refuzuar diçka të tillë, spese një operim tjetër do ta mbante për shumë kohë larg fushave.
Nisur nga kjo situatë, jo vetëm ishi i Chelsea-t, por edhe vetë drejtuesit e klubit janë bërë gati për të ndërprerë bashkëpunimin dhe pritet që Hazard të jetë në krye të listës së lojtarëve që do të largohen nga Reali.
Tashmë në moshën 31-vjecare, Hazard ka humbur shumë nga shkëlqimi i tij dhe natyrisht edhe vlera e tij ka pësuar një rënie të madhe.
Ai erdhi në Madrid në verën e vitit 2019 nga Chelsea, por asnjëherë nuk arriti të gjente formën e tij më të mirë dhe të shpërblente besimin e drejtuesve, apo të justifikonte shumën për të cilën madrilenët derdhën në arkat e bluve të Londrës.
Deri tani, Eden Hazard numëron 59 ndeshje në dy sezone e gjysmë dhe vëtëm pesë prej tyre i ka mbyllur në harkun e 90 minutave. Këtë sezon ai ka zhvilluar 16 nga 30 ndeshjet e Realit nga të cilat vetëm 8 i ka nisur si titullar, me 724 minuta në fushë duke u kthyer kështu në lojtarin e 17-të më të përdorur nga Carlo Ancelotti.



