Hebaj: Diferenca prej 5 pikësh na jep qetësi, Shkurtaj…
Përkrah Skënder Gegës, në konferencën për shtyp para takimit me Kukësin ishte Riben Hebaj. Sulmuesi shkodran, autor i dygolëshit të përmbysjes në derbin me Tiranën beson te suksesi me verilindorët.
Si e konsideroni ndeshjen tuaj ndaj Teutës?
Mundohem të jap maksimumin, pastaj varet si gjykohem nga tifozët dhe analistët. Besoj se bëra ndeshja të mirë.
Si ndihesh kur lexon se klubi kërkon Shkurtajn, që luan në të njëjtin pozicon?
Nuk më vjen keq. Futbolli kështu është. Nëse vjen, ose jo, do të jetë e njëjta gjë, të gjithë do të luftojnë për të luajtur.
Ke marrë garanci për kontratën?
Kam ardhur për 1 vit. Nëse do të ketë diçka për të diskutuar, do ta diskutojmë, megjithatë deri tani nuk ka asgjë.
E vuan që jeni sulmuesi kryesor i Partizanit, duke parë që sytë kanë qenë nga ju?
Në fillim kisha pak presion, por u ambientova shpejt me grupin. Nuk hasa vështirësi më vonë.
Pa tifozë me Kukësin…
Na vjen keq, sepse tifozët janë mbështetje e madhe për ne. Ku ka tifozë, është mirë të luash gjithmonë. Megjithatë do të mundohemi të japim maksimumin.
Nga lojtarët që ka Partizani në pjesën sulmuese, kush mendon se është më i përshtatshmi për ty?
Për të gjithë flas mirë, sepse janë shokët e mi. Të gjithë janë të mirë dhe të shpejtë. Besoj që kushdo që të luajë, do të shkojë mirë.
Sfida me Kukësin, vendimtare?
Jemi më të qetë, besoj, sepse jemi 5 pikë përpara. Shpresoj të fitojmë dhe ta mbajmë diferencën njësoj.
Ju përballë 3 qendërmbrojtësve gjigantë të Kukësit…
Shpresoj mos të jem vetëm. Shpresojmë të fitojmë ne. Ata kanë vite që luajnë në Superiore.
Më mirë vazhdimësia apo të shënosh në ndeshje të rëndësishme?
Më mirë vazhdimësia.



