Henry: Po, ky Arsenal është për titull! Xhaka “surpriza” më e bukur
Legjenda e Arsenalit, Thierry Henry analizon kredencialet e ish skuadrës së tij pas një nisjeje shumë të mirë të sezonit. Topçinjtë janë në krye të klasifikimit, pasi kanë fituar 7 nga 8 ndeshjet e luajtura, përfshirë këtu edhe suksesin 3-1 ndaj rivalëve të Tottenhamit në derbin e Londrës veriore të shtunën e kaluar.
Nisja fantastike e sezonit ka ushqyer shpresat se Arsenali mund t’i japë fund pritjes së gjatë për titullin kampion, që e kanë fituar për herë të fundit në vitin 2004. Henry, i cili gëzoi një periudhë 8 vjeçare suksesi tek Arsenali, beson se skuadra e Mikel Artetës i ka mundësitë për të synuar titullin këtë sezon.
“Në këto 8 ndeshje qartazi ata janë kthyer kompetitivë, por gjithsesi me Kupën e Botës që do të sjellë ndërprerjen duhet parë nëse në janar ata do të jenë sërish aty në vendet e para, dhe atëherë mund të thuhet se janë pretendentë për titullin“.
Henry, i cili tani është ndihmës trajner i Kombëtares Belge, rezervoi elozhe për Gabriel Jesus, Granit Xhakën dhe William Saliba pas performancës së tyre në ndeshjen me Tottenhamin.
“Nuk jam i surprizuar me ta, pasi tani ata janë një skuadër ndryshe dhe kjo duket qartë. Gabriel Jesus po ndryshon , dhe jo vetëm ai, Saliba pas ju lejon të luajnë me 4, ndaj Mikel Arteta mund të bëjë atë që Guardiola bën te City me Zinchenkon. Xhaka po luan shumë më mirë, kjo ishte ajo që më surprizoi më tepër“.
Arsenali është një pikë para ndjekësve të Manchester City në krye të klasifikimit në Premier League. Topçinjtë presin Liverpoolin në një ndeshje të zjarrtë të dielën, e cila do të transmetohet në Supersport, ndërkohë që kampi i Pep Guardiolës pret Southamptonin në Etihad të shtunën.



