“Heroi” Icardi: Inter, edhe dy vite më parë ishim në krye, pastaj…
Një dygolësh i Mauro, që vlen tri pikë për Interin dhe sigurisht rikthen “zikaltrit” në vendin e dytë, me vetëm 2 pikë më pak se Napoli kryesues. Dy gola të realizuar me kokë, por edhe shumë raste të tjera, që nuk përfunduan në rrjetë. Argjentinasi nuk është thjesht një golashënues, por edhe një lider i skuadrës, pika e referimit e projektit “Spalletti”. Pas suksesit 2-0 ndaj Atalantës së Etrit Berishës, “Maurito” u shpreh i lumtur për rezultatin e arritur, duke sqaruar edhe problemet që iu shfaqën në gju.
“Ishte një fitore shumë e rëndësishme. Duhej të merrnim tri pikët dhe ia dolëm. Gjithçka varet nga këmbët tona. Shqetësimi në gju? E ndjeva pak në fund, por gjatë javës do të punojmë mirë për ta kaluar. Tendina më ngacmon pak, por unë po vazhdoj të shënoj.”
Kur pyetet për mundësitë që ka Interi për ta fituar titullin e Serisë A, Icardi i referohet situatës ku gjendej skuadra dy vite më parë.
“Për Krishtlindje, dy vite më parë, kryesonim renditjen, pastaj u rrëzuam. Duhet të vazhdojmë me këtë ritëm dhe në muajin maj të shohim nëse do të jemi të aftë për të qëndruar në majë. Objetivat personalë? Të kthehem në Champions me Interin, pastaj do të mendoj për Botërorin.”



