Hila: Ndaj Teutës e veçantë, nuk feston nëse i shënoj
Një ish i Teutës, që kërkon të shkruajë historinë me Partizanin. Ardit Hila u shfaq në krah të trajnerit Skënder Gega në konferencën për shtyp, duke premtuar maksimumin me fanellën e kuqe, përtej emocioneve që i krijon e shkuara. Ai shprehet se Partizani është kulmi i karrierës së tij.
“Është një ndeshje e veçantë për mua, sepse kam kaluar tre vite shumë të mira te Teuta. Nëse shënoj, nuk do të festoj, për respekt ndaj ish-ekipit tim. Është e vërtetë që vjet kam shënuar e festuar ndaj Partizanit. Rezultati ishte 1-2 për ne, goli i tretë na çliroi, sepse ishim në krizë pikësh, në luftë për të rënë nga kategoria. Tani jam pjesë e Partizanit. Me kalimin e kohës, këtu jam ambientuar me lojën dhe shokët e ekipit. Dalëngadalë do të rritem edhe më shumë, sepse ky nuk është maksimumi im. Pastaj, vlerësimin e ka trajneri në dorë, ai sheh se ku jep maksimumin një lojtar i tij.”
Hila ka spikatur edhe si golashënues te “Djemtë e Detit”, cilësi që ende nuk i ka nxjerrë në pah te të kuqtë.
“Te Teuta kam shënuar gola, pasi ishte viti i tretë atje, kisha edhe përgjegjësitë e mia si tip lideri në ekip. Por, besoj se edhe te Partizani do të shënoj shumë shpejt, pse jo që ndaj Teutës. Partizani është një hap më i rëndësishëm në karrierën time. Po flasim për një ndër ekipet më të mëdha në Shqipëri, me objektiva të mëdha. Presioni është shumë i madh, por duhet dhënë maksimumi në çdo ndeshje. Pas derbit, siç e kemi biseduar në stërvitje, duhet shumë kujdes, sepse e kaluara na jep mësime në këtë drejtim”.



