Featured

Histori mashtrimi/ Krijoi profil fals si lojtar i PSG, tifozët i “hoqën nga duart” 15.000 paund

Ëndrra e shumë të rinjve në botë është të bëhen futbollistë dhe të luajnë në klubet më të mëdha, në stadiumet më historikë dhe para miliona spektatorëve, por pa harruar këtu edhe faktin se nëpërmjet këtij profesioni bëhen shumë para. Megjithatë, në fund jo të gjithë ia dalin, edhe pse ka nga ata që nuk dorëzohen kollaj. Kështu është edhe rasti i Gregoire Akcelrod.

Ky i fundit kishte tentuar të bëhej pjesë e botës së futbollit kur ishte fëmijë, megjithatë babai i tij duke njohur talentin e djalit kishte vendosur të mos e lejonte të merrej me këtë sport. Por, Akcelrod mendoi për një skemë mashtrimi jo vetëm për t’iu futur botës së futbollit, por edhe për të përfituar një sasi të konsiderueshme parash. Dhe, hapi i parë për francezin ishte të krijonte një profil fallco duke e “shitur” veten në internet si një lojtar i skuadrës rezervë të PSG. Ndërsa një tjetër hap për Akcerold ishte kopja e raportit të një ndeshje ku vendosi emrin e tij në vend të Nicolas Anelca.

Gjithashtu, Akcerold vendosi një foto të tijën me fanellën e PSG ndërsa i dërgoi një letër Arsene Wenger, trajnerit të Arsenal në atë kohë për të bërë një provë me Arsenalin. Megjithatë, londinezët, por edhe Chelsea e Manchester United që kishin përfunduar me CV-në e francezit “nëpër duar” refuzuan ta merrnin në provë personin që në fakt në të kaluarën kishte qenë një punonjës i McDonalds.

Gjithsesi, përpjekja e Akcerold nuk shkoi kot dhe Swindon (luajti 1 ndeshje provë ku edhe realizoi gol), Norwich, Bornemouth dhe skocezët e Falkirk e Dundee United i ofruan atij një provë. Në vitin 2009 Akcerold, refuzoi një kalim në Luksemburg, por hapi i madh ishte gati teksa arriti një marrëveshje për të kaluar në radhët e CSKA Sofies në Bullgari.

Me kampionët e asaj kohe, Akcerold arriti një marrëveshje trevjeçare nga e cila do të përfitonte plot 15.000 paund në muaj. Por, teksa gjithçka ishte gati, transferimi dështoi prej kureshtjes së një tifozi bullgar i cili pyeti në një prej forumeve francezë mbi tipin e lojtarit që ishte Akcerold.

Por, aty askush nuk e njihte dhe nga një investigim pak më i thellë doli edhe mashtrimi i Akcerold, që ishte një hap larg realizimit të ëndrrës së tij. Akcerold, tregon se në ditën pasardhëse, CSKA e dëboi dhe prishi kontratën.

Tashmë, Akcerold punon si një agjent që i ofron këshilla të rinjve për të arritur objektivat ndërsa ka publikuar edhe një libër me titullin “Profesionist me të gjitha kushtet”.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency