Humb Salahun, por fiton ndeshjen; Liverpooli mban gjallë shpresat për titull
Liverpooli vuajti jo pak në “St. James Park” përballë Newcastle, por ia doli të fitojë 2-3 dhe të rikthehet në krye të renditjes së Premier Leagues, për ta bërë edhe më interesante garën për titullin kampion.
Në sfidën e parafundit të kampionatit për “The Reds”, ishte Virgil Van Dijk që zhbllokoi rezultatin në minutën e 13’, por vetëm 7 minuta më vonë, ishte Atsu, që riktheu baraspeshën.
Megjithatë Liverpooli e mbylli pjesën e parë në avantazh, pasi ishte Muhamed Salah që shënoi në minutën e 28’ golin e dytë për të besuarit e Jurgen Klopp. Por Newcastle nuk kishte ndërmend të dorëzohej lehtë dhe në minutën e 54-t, ishte Rondon që shënoi në portën e Alisson dhe riktheu sërish baraspeshën.
Më pas gjërat filluan të shkojnë keq për Liverpoolin, që në minutën e 73-të humbi edhe shërbimet e Salah, i cili la fushën e lojës i dëmtuar, ndërsa dukej sikur ish trajneri që fitoi Championsin me “The reds”, Raffael Benitez, i cili aktualisht mban stolin e Newcastle, do t’u hiqte shpresat e titullit.
Megjithatë goli i fitores erdhi në minutën e 86’, kur një faull në krah të sulmit, u ekzekutua saktë nga Xherdan Shaqiri dhe u devijua nga mbrojtësi i vendasve Lascelles, në rrjetën e portës.
Me këtë fitore, Liverpooli rimerr kreun, duke u ngjitur në kuotën e 94 pikëve, teksa kanë vetëm një ndeshje për të luajtur, atë ndaj Wolvesit në “Anfield Road”, të dielën e ardhshme.
Megjithatë fati i titullit nuk është në dorën e Liverpoolit, por në atë të Manchester Cityt, që aktualisht mban vendin e dytë me 92 pikë, por ka edhe dy takime për të luajtur, atë ndaj Leicesterit të hënën dhe atë me Brightonin të dielën.



