Humbi në derbin e Kupës me Juven, shkarkohet Mihajlovic
Presidenti i Torinos Urbano Cairo, ka vendosur të shkarkojë trajnerin Sinisa Mihajlovic pas humbjes 2-0 në derbi me Juventusin në Kupën e Italisë. Sipas shtypit italian, ky vendim i është komunikuar edhe trajnerit menjëherë pas derbit, për t’u zyrtarizuar nga klubi mesditën e sotme. Cairo, i cili e ka mbrojtur pambarimisht trajnerin serb, këtë radhë nuk ka mundur të rezistojë më gjatë, pasi edhe rezultatet në Serinë A nuk kanë qenë të kënaqshme. Favorit për të pasuar Mihajlovicin është Walter Mazzarri, i cili e ka mbyllur eksperiencën e tij në Angli me Watfordin. Tekniku toskan ka si kusht për të pranuar ofertën nënshkrimin e një kontrate dyvjeçare, pasi nuk e konsideron veten një trajner që shërben thjesht për të dalë nga situata.



