Humbja e katërt radhazi, PSG-ja turpërohet në Monaco
Skuadra e Paris Saint-Germain ka zhgënjyer edhe ndaj Monacos, pasi sot numëron humbjen e katërt radhazi, përfshirë këtu edhe atë kundër Real Madrid që e eliminoi nga Champions League.
Parizienët janë mundur 3-0 në transfertë, në një takim që pavarësisht lojës së bukur nga ana e PSG-së, rezultati foli për vendasit. Takimi u zhbllokua në minutën e 25’, kur Ben Yedder do të shënonte golin e parë të Monacos, pas një asisti të marrë nga Fofana.
Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1-0, duke vazhduar kështu deri në minutën e 68’, kur Volland do të shënonte golin e dytë për vendasit.
Teksa në minutën e 83’ ishte sërish Ben Yedder ai që do të godiste portën e Donnarummës, i cili nuk mundi të reagonte siç duhej në asnjë moment.
Ajo që ra në sy në këtë sfidë ishte mungesa e Lionel Messit, për të cilin nga klubi i PSG-së është bërë me dije se është i sëmurë, megjithatë dyshimet janë që argjentinasi të mos ketë pasur dëshirë për t’u bashkuar me skuadrën pas ofendimeve nga tifozeria pariziene, apo nga kërkesat e këtyre të fundit që “pleshti” të largohet.
Ndonëse mban kreun e Ligue 1 pas 29 javësh kampionat, PSG është duke vuajtur mungesën e rezultateve dhe në tre raundet e fundit vijon të jetë në kuotën e 65 pikëve. Teksa, Monaco pas fitores së sotme ngjitet në vend të shtatë me 44 pikë të grumbulluara.



